Gjeli i korrupsionit

01/06/2014 00:00

Nga Ndue Dedaj: Ata që mund të shkruajnë një ditë historinë e korrupsionit (me gjasë ai do të ketë histori, e çfarë historie se!), që është laku në fyt i një shteti e shoqërie, mbase do ta nisin nga gjëra krejt të thjeshta. Kështu ka nisur kjo puna e korrupsionit, do të thonë, me një gjel shtëpie lafshëkuq e krenar a një gjel deti të majmë Zadrime, një shportë me vezë, një shtëllungë lesh deleje dhënë si ryshfet dikujt që ia kishe interesin, gjykatësit, xhandarit, tregtarit etj., për të vazhduar deri tek ata gjelat e verdhë, napolonat e floririt si ryshfet për prefektin, ministrin a dikë tjetër të naltë për ndere e favore më të mëdha. Nga gjeli prej puplash, te “gjelat” që çonin peshë burrat e shtetit e bursat e shekullit.

E nisëm këtë shkrim me fabulën e gjelit prej ndodhisë së mëposhtme, me një humor jo aq për të qeshur. Nënprefekti i Vlorës, në vitet ’30, një verior i ditur e i shëtitur, modeli i nëpunësit të shtetit, që do të kryente funksione pushteti në të gjithë Shqipërinë, bën një veprim teprues ndaj një qytetari, që pakkush mund ta bënte, por mjaft domethënës. Një fshatar i atyre anëve i çon një gjel të gjallë për festë zyrtarit për një nder që i kishte bërë dhe nënprefekti nuk bën gjë tjetër, por ia lidh gjelin në qafe “dhuruesit”, në atë mënyrë që gjeli ta çukiste në zverk, e lë ashtu një copë herë, sa të merrej vesh… Kaq u desh që atij zyrtari të mos i niste më askush gjela e pula si peshqesh për punët e qeverisë që kryente.

Tregohet ende sot ky rast, por tash tingëllon si një “përrallë” nga e kaluara, edhe pse është diçka e vërtetë. Sot nuk ua ka kush ngenë gjërave të tilla, sidomos gjelave e pulave. Por as lopëve e buajve. Këta të fundit madje për fushata elektorale kanë filluar t’i bëjnë dhuratë vetë pushtetarët për votuesit. Aq lart ka shkuar çmimi i korrupsionit. Sot nuk merret kush me cingërima korrupsioni, por vihen në tapi copa bregdeti, lagunash të virgjëra, troje etj. E nesër dhe malet e larta e luginat e thella, nëse do të shpëtojë diçka nga ndërtim(shkatërrim)taria pa kriter në to, veçanërisht e disa hidrocentraleve të reja, që do të na mbushin me dritë, por që më parë po sakatojnë ekologjinë e mjedisin anë e mbanë.

Për ata që merren me analizën e dukurive shqiptare të tranzicionit nuk është e vështirë të shohin një harmoni anti-institucionale të një vargu gjërash, siç janë: politika konfliktuale (sidomos ajo parlamentare e së enjtes), dobësia e shtetit përballë informalitetit dhe antiligjit, korrupsioni i ngritur në sistem, varfëria që nuk po i ndahet Shqipërisë, popullariteti përherë e më i madh i drogës, thënë ndryshe maratona e narkotrafikut etj. Mund të kishte vetëm një shpresë, që do të ishte drejtësia, por kur dhe ajo është e shitur-blerë, çfarë mund të presësh. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nënvizonte korrupsionin në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, i cili vetëm sa majmet, paçka se kush vjen në mazhorancë. Mund të jenë bërë përmirësime në sektorë të tjerë, por duket se jo dhe në drejtësi. Procesi i Pukës tregoi se si mund të përfshihen dhe për shuma të vogla gjithë nëpunësit e pallatit të drejtësisë së një rrethi. Shumëkush tregon me gisht arin që mbajnë në duar e në qafë zotërinjtë e zonjat e drejtësisë, si për thënë se kjo është një njollë në tempullin e ligjit. Është mirë që mblidhen në Tiranë prokurorët e Ballkanit Perëndimor e diskutojnë lidhur me krimin e organizuar, si pengesë për integrimin në BE, po a nuk është dhe korrupsioni po kaq i zi? Apo ky merret si një problem i brendshëm dhe jo (ndër)rajonal? Për më tepër që prej tij është i prekur vetë sistemi i drejtësisë. Padyshim që nuk është e drejtë që gjyqtarët, prokurorët, hetuesit të etiketohen si të korruptuar en bloc, ka ndër ta që janë modeli i profesionistëve, që japin drejtësi, nuk abuzojnë me postin, përballen me krimin, sakrifikojnë në përmbushjen e detyrës, por këta nuk përbëjnë trendin e ndryshimit dhe ky është problemi. Nëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe organet e tjera të shtetit nuk bëjnë dot ndëshkimin e të korruptuarve në këtë sektor, të bëjnë të paktën nderimin e atyre që janë të pastër nga mitëmarrja.

Nuk ka fjalë më të lakuar këto vite se korrupsioni. E kanë shqiptuar me hir e pahir të gjithë shtetarët, qeveritarët, deputetët, prokurorët, auditët. Edhe fëmijët e shkollave e përfytyrojnë si një përbindësh a kuçedër me shtatë krerë, megjithatë për disa djalli nuk është aq i zi sa duket. Është krijuar ideja se asgjë nuk mund të bësh po nuk i “shtove” rrogës. Mirë një rrobaqepëse i shton rrogës duke qepur një palë pantallona a një këmishë më shumë, po një zyrtar i shtetit si mund t’i shtojë rrogës kur nuk ka një punë të dytë pasdite? Ky është një problem psikologjik, moral e pastaj dhe politik. Duket se kështu ka funksionuar qysh herët dhe kur politika ende nuk ishte burim përfitimi, madje dhe kur ajo e ndalonte ryshfetin. Jemi mësuar të flasim vetëm me përnderim për mësuesin, si për një shenjt dhe i atillë duhet të vijojë të jetë nderimi për të, ama ka pasur dhe ndonjë mësues të rrallë që nga katundi tjetër vinte të shtunën në shtëpi me një gjel nën dorë e një shportë me vezë që ia kishin “dhuruar” fshatarët, të cilëve u mësonte fëmijët. Ndaj nuk është për t’u habitur kur herë pas here lexon në gazetë se iks pedagog u ndalua për mitëmarrje etj.

E, pra, mësuesi, pedagogu janë edukatorët e këtij kombi. Ndoshta nuk është rastësi që në tri gjimnaze të Tiranës ka filluar të zbatohet një “projekt qytetar” kundër korrupsionit, me synimin për t’u përfshirë në kurrikulën mësimore si pjesë e rëndësishme e saj. Në pamje të parë të duket si e habitshme, pse pikërisht tek ata që nuk ka asnjë lidhje me këtë dukuri bëhet kjo gjë, por jo, me siguri ka kuptimin që të edukojmë një brez të ri ndryshe, me formim qytetar demokratik. Të mësohen të rinjtë t’i arrijnë gjërat vetë me djersë dhe jo me rrugë të dyshimta, të tërthorta, të palejueshme. A thua ky është shpëtimi ynë? Duhet të presim deri sa të vijë ky brez në menaxhimin e punëve të vendit apo duhet që dhe ne të “sotmit” të bëjmë diçka? Pa dyshim që kemi barrën tonë, ani se shenjat e mira pak shihen. Lufta politike i ka zënë frymën çdo gjëje që mund të ishte europiane si filozofi. Këtu ende nuk konkurron individi, “konkurron” vetëm partia në ndarjen e posteve. Partia të bën gjithçka, nga polic i thjeshtë te president i vendit. Nuk ka ndryshe. Nuk tha partia, nuk bëhesh asgjë. Partia të çon jo vetëm në postet politike, po kudo, edhe gjykatës bëhesh me vullnetin e partisë, njërës ose tjetrës, ndryshe ngecesh në Kuvend. Po kështu edhe ambasador. Po ç’lidhje ka kjo me korrupsionin? Këtu është zemreku i së keqes. Sepse partia të mbron dhe nga korrupsioni. Provoni të vini gjyqtarë të pavarur, nëse zyrtarët e lartë të korruptuar nuk venë prapa hekurave! Por ata i varëson politika pa vullnetin e tyre. Nëse bie “imuniteti” klientelist i politikës në institucionet e shtetit dhe ato të ligjit në veçanti, gjërat nuk do të jenë më kështu. Por sërish pyesim a duhet të shpresojmë? Ndoshta edhe për do kohë jo fort, deri sa të kemi dëshmuar se nuk blejmë votat, nuk zëmë vend në Parlament me vota të tjetërsuara nga varfëria etj.

Eh, “gjeli” i korrupsionit, është trashur e është bërë… avion droge, që s’ka zot ta ulë më në tokë. Kemi mbetur duke thënë duhet, duhet. Po, po. Duhet të piqet elektorati, duhet të piqet politika, që Shqipëria jonë të nisë të ndryshojë. Besohet se ndarja e re territoriale, administrative do të jetë për mbarë dhe për sa i përket antikorrupsionit, pasi punët publike do të menaxhohen e auditohen më mirë. Nuk e kemi ne kulturën të qeverisim në 400 e më shumë njësi vendore, po në dhjetë herë më pak, se nuk i kemi as nuk na duhen kaq “zota” shtëpie, shumë prej tyre me mangësi të ndjeshme shkollimi dhe aftësish qeverisëse, por tani dhe pa “shtëpi”, kur jo pak komuna malore kanë mbetur pa banorë.

Top Channel