Balla: Trafiku, nga kupola e Mbrojtjes

01/06/2014 00:00

Duket se akuzat për trafik droge nga ajri kanë ndërruar drejtim pas gjetjeve të Komisionit Hetimor Parlamentar. Është Partia Socialiste tashmë që i kërkon sqarime ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami për trafik nga baza ushtarake e Gjadrit.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se në periudhën tetor 2012-mars 2013 ekzistojnë dëshmi të plota për uljen dhe ngritjen e avionëve të palicensuar e të paautorizuar, përmes të cilëve dyshohet se transportohej lëndë narkotike, për të cilët dëshmitarë janë oficerët që kanë patrulluar zonën.

Ndërsa u thuhej se avionët uleshin për t’u furnizuar me karburant, oficerët e patrullimit, tha Balla, kanë parë pako të mbështjella me natriban, për të cilat ata nuk janë lejuar të raportojnë tek eprorët e tyre, madje janë autorizuar të mos pengojnë uljen dhe ngritjen e avionëve: “Cmenduria ka arritur deri aty sa oficeri që guxoi të raportojë është kërcënuar dhe larguar nga kjo zonë. Gjithçka ka ndodhur kur kryeministër ishte Sali Berisha dhe ministër i Mbrojtjes Arben Imami. Meqënëse këta dy zotërinj kanë akuzuar Forcat e Armatosura, a mund të thonë a kanë patur informacion mbi këta avionë duke abuzuar me strukturat e ushtrisë dhe institucionet e inteligjencës?”

Dyshimet për dijeninë e qeverisë paraardhëse për këtë aktivitet të paligjshëm u hodhën fillimisht nga kryeministri Edi Rama kur deklaroi se mirëinformimi i eksponentëve të Partisë Demokratike vjen ndoshta nga përfshirja në të në kohën kur qeverisnin vendin, dyshime që mazhoranca beson se janë vërtetuar nga gjetjet e Komisionit Hetimor Parlamentar.

PD: E vërteta e ka rrëzuar tashmë Kryeministrin

Pas deklaratës së nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka reaguar Partia Demokratike, ku me anë të zëdhënëses së saj Laura Vorpsi akuzoi Kryeministrin për shmangie të përgjegjësive.

“As festa e fëmijëve dhe as konsakrimi i Katedrales nuk e pengojnë Edi Ramën të zhytet thellë e më thellë në llumin e rrenave dhe mashtrimeve. Edhe sot ai dëshmoi që ka vendosur, si çdo ditë, të mos mbajë asnjë lloj përgjegjësie pavarësisht se është në krye të vendit të mbuluar nga droga dhe trafiqet. Nuk jep asnjë llogari për mijëra kilogramë drogë që qarkullojnë çdo ditë në Shqipëri dhe më tej në vendet fqinje nga toka, deti dhe ajri, por sulmon opozitën. Mendon se me gojët e pengjeve të drogës të njohura botërisht si Felaj dhe Balla ai mund t’i ikë përgjegjësisë. Nuk mundet, e vërteta e ka rrëzuar. Mbetet vetëm të caktojë orën e largimit, përndryshe atë do t’ia caktojë populli”-deklaroi zëdhënësja e PD.
 

Top Channel