Greva e ish të përndjekurve

31/05/2014 00:00

Greva e ish të përndjekurve politikë ka hyrë në ditën e katërt. Gjendja shëndetësore e grevistëve femra është përkeqësuar dhe katër prej tyre janë dërguar në spital ku dhe i është dhënë ndihma e specializuar.

“Nuk kam nevojë për lëmoshë. Dua atë që më takon me ligj. Unë jam pa punë, pa përkrahje sociale. I kam bërë katër mesazhe Edi Ramës, kam pësuar aksident dhe dua që të kurohem”, thotë një pjestar i grevës së urisë.

“Greva nuk është politike fare dhe unë dua që dëmshpërblimi të na jepet sipas ligjeve dhe normave të shtetit”, thotë një tjetër grevist.

Grevistët kanë kërkuar që shteti jo vetem t’i dëmshpërblejë, por t’i sigurojë punë dhe të vendosë dënimin e figurës së Enver Hoxhës dhe të nisë procesin e hapjes së dosjeve.

Ndërkohë Kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë, Skënder Tufa është distancuar nga greva që po zhvillojne 17 ish të përndjekur, duke e cilësuar atë politike.

“Qeveria do të vijë, do të ulet më datën 3 me ne këtu dhe do të marrë përsipër zgjidhjen e problemeve me të burgosurit politikë dhe jo me ushtarët e diktatorit dhe të kriminelit. Është një grevë tërësisht politike. Personat që janë aty, ai që drejton grevën është një njeri i inkriminuar i nxjerrë nga arkiva që po bashkërendon veprimet me greva dhe protesta me qëllim të caktuar”, thotë Skënder Tufa.

Tufa ka kërkuar që shteti të përfundojë procesin e dëmshpërblimit ndaj gjithë ish të burgosurve politikë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta