“Trafik droge në qeverisjen e PD”

30/05/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama tregoi, të enjten në emisionin Top Story, se Komisioni Hetimor i drejtuar nga deputetja socialiste, Ermonela Felaj, ka zbuluar fakte për trafik droge nga ajri, gjatë kohës që vendi drejtohej nga qeveria e ish-kryeministrit Berisha. Rama i quajti faktet tronditëse.

“Informacioni që unë kam marrë përpara se sa të hartohen konkluzionet, që do të bëhen publike nga Komisioni Hetimor, mua personalisht më ka tronditur. Më ka tronditur për faktin se provon atë që unë vet nuk e kam besuar, që në Shqipëri mund të kishte një linjë të tillë të trafikimit të drogës. Nuk flas për linjë ajrore të rregullt, por flas që përdorej ajri për këtë veprimtari. Kjo ka ndodhur, pikërisht kur qeverisnin zotërinjtë që me kaq siguri ta thoshin se kjo është e mundur, se kjo ndodh, se kjo bëhet. Sot jam më i bindur se asnjëherë tjetër, se ku e gjen Sali Berisha fuqinë për të akuzuar në mënyrat më të pajustifikueshme për një njeri që ka qenë president e kryeministër, me një fjalor më të patolerueshëm për një familje normale shqiptare, çdo kundërshtar. E gjen te fakti i thjeshtë se gjërat që shpif i ka bërë vet”, tha Rama në “Top Story” për Sokol Ballën.

Ky deklarim i kryeministrit Rama, një ditë më pas është përforcuar nga Ermonela Felaj, kryetarja e Komisionit Hetimor parlamentar, i ngritur pas akuzave të opozitës për përdorimin e Forcave të Armatosura në trafik droge.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, nga selia e PS-së, deputetja Felaj tha se është mbledhur një material voluminoz, që do të tregojë shkallën e vërtetësisë për të gjitha akuzat publike të ngritura deri më sot.

“Të dhënat janë të tilla, që sqarojnë qoftë gjendjen para 23 Qershorit, qoftë pas 23 Qershorit. Pra, nuk do të lërë asgjë pa sqaruar nga ato që janë thënë”, u shpreh kryetarja e Komisionit Hetimor, deputetja Ermonela Felaj.

Të gjitha gjetjet dhe konkluzionet e Komisionit Hetimor do të bëhen publike paraditen e së shtunës.

Top Channel