“Rusia ka tërhequr shumicën e ushtarëve”

30/05/2014 00:00

Rusia ka tërhequr shumicën e trupave ushtarakë në kufi me Ukrainën, por shtatë batalione me mijëra njerëz kanë mbetur të palëvizur, bëri të ditur një zyrtar i lartë amerikan i Mbrojtjes, ditën e premte.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, nga Singapori ku po merr pjesë në një konferencë për sigurinë, e ka quajtur tërheqjen e mijëra trupave ruse nga kufiri si një shenjë premtuese, por shtoi se është e nevojshme largimi i të gjitha trupave të pozicionuar atje në fillim të këtij viti.

Zyrtari i Mbrojtjes tha se shumica e ushtarëve janë tërhequr.

“Shumica e tyre janë larguar”, tha ai për reporterët. “Por, kanë mbetur edhe 7 batalione”. Zyrtari tha se nuk kishte shifra mbi numrin e trupave të tërhequr… “Por, mijëra të tjerë kanë mbetur”, tha ai.

Hagel, duke folur më herët për aeroplanin me të cilin po udhëton drejt Azisë dhe Europës, tha se ishte njohur me faktin që “mijëra trupa ruse janë tërhequr dhe po largohen. Ne gjithashtu dimë se ka ende mijëra të tjerë që janë ende aty, të cilët nuk po lëvizin”.

“Gjithnjë, kur përpiqesh të tërheqësh trupat dhe mjetet e rënda, kjo është një shenjë premtuese, por ata nuk janë në atë pikë ku duhet të ishin, dhe nuk do të jenë deri në momentin kur t’i tërheqin të gjithë trupat e tyre, të cilët i pozicionuan përgjatë kufirit të tyre me Ukrainën vetëm pak muaj më parë”.

Aleanca ushtarake e NATO-s, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kishte përllogaritur më herët se Rusia kishte rreth 40 mijë ushtarë pranë kufirit. Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Ukrainë, tha të premten se forcat ukrainase do të vazhdojë edhe më tej me një sulm ushtarak kundër rebelëve në Lindje, deri kur paqja dhe rendi të rivendosen në rajonet lindore.

Duke folur pas vrasjes së 14 ushtarakëve, përfshi një Gjeneral, të cilët humbën jetën pas rrëzimit të helikopterit të enjten pas sulmit të rebelëve, ministri Mykhailo Koval tha: “Detyra jonë është të rikthejmë paqen dhe rendin në rajon”.

Top Channel