Kievi përshkallëzon operacionin në Sloviansk

30/05/2014 00:00

Ushtria ukrainase vazhdon operacionin kundër separatistëve pro-rusë në rajonin e Slovianskut. Mediat ruse flasin për dhjetra viktima ndërsa rebelët për një hakmarrje masive ndaj rrëzimit të helikopterit ushtarak të Kievit.

Të enjten Rusia njoftoi ndihmat humanitare për separatistët e republikës së vetshpallur të Donjeckut, ndërsa së fundmi një komision hetimor i Kremlinit mbërriti në përfundimin se ushtria ukrainase ka shkelur Konventën e Gjenevës duke vënë në shënjestër edhe civilët në Sloviansk.

Në ndihmë të rebelëve kanë ardhur armatimet ruse. Tashmë nuk bëhet më fjalë për armatime të lehta. Separatistët thonë se janë pajisur me helikopterë, mjete të binduara dhe armë të tjera të rënda.

Nga ana tjetër presidenti rus bëri thirrje për ndalimin e gjakderdhjes. Në një bisedë me presidentin francez, Francois Hollande ai tha se duhet të ulen armët dhe Kievi e përfaqësuesit e separatistëve në rajonet lindore të Ukrainës të ulen në bisedime të drejtpërdrejta.

“Autoritetet e Kievit duhet të ndalin menjëherë dhunën dhe të nisin një dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e rajoneve jug-lindore të vendit”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për shtyp nga Kremlini.

Por për presidentin e sapozgjedhur të Ukrainës, Poroshenko, kryengritësit janë terroristë dhe me terroristët asnjë vend i civilizuar nuk bisedon.

Ministri i përkohshëm i mbrojtjes, Mykhailo Koval deklaroi më herët se Ukraina do të vazhdojë operacionet ushtarake në zonat lindore dhe pranë kufirit me Rusinë deri në momentin kur këto rajone të jenë të qeta dhe njerëzit t’i rikthehen normalitetit. Ai akuzoi Moskën se mbështet rebelët e armatosur, një akuzë që Moska e mohon.

Top Channel