Jay Carney largohet nga Shtëpia e Bardhë

30/05/2014 00:00

Pas më shumë se 3 vitesh në krye të zyrës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney do të largohet për t’i lënë vendin zëvendësuesit të tij, Josh Earnest i cili ka punuar me Obaman gjatë fushatës elektorale të 2008-ës.

49-vjeçari Carney, një ish-korrespondent i Shtëpisë së Bardhë për revistën “Time” iu bashkua administratës Obama në fund të 2008-ës si zëdhënës i zv.presidentit Joe Biden. U emërua zëdhënës i Presidentit Obama në shkurt të vitit 2011 duke zëvendësuar Robert Gibbs.

Pasuesi, Josh Earnest, 39 vjeç, ka qenë zëvendësi i tij kryesor dhe ndër më aktivët e zyrës së shtypit të presidentit Obama, madje edhe shoqërues në cdo lëvizje të kreut të Shtëpisë së Bardhë. Vetë Carney tha se Earnest do të udhëtojë me Obama-n javën e ardhshme në Europë, ndërsa deklaroi se do të tërhiqet nga posti në gjysmën e dytë të muajit qershor.

Obama bëri publik vendimin surprizë të Carney gjatë një ndërhyrjeje kur ky i fundit po i përgjigjej një pyetjeje të gazetarëve mbi krizën në Ukrainë.

“Jay u bë një nga miqtë e mi më të ngushtë dhe një Sekretar Shtypi e këshilltar i mrekullueshë, Ka një gjykim të mirë, një temperament të mirë dhe një zemër të mirë dhe mua do të më mungojë shumë. Do të vazhdoj të kërkoj këshilla prej tij si një mik edhe kur ai të jetë me pushime me fëmijët e tij”, deklaroi Obama.

 

Top Channel