Siri, afrojnë zgjedhjet presidenciale

29/05/2014 00:00

Më 3 Qershor, sirianët votojnë për presidentin e vendit, pavarësisht luftës civile dhe 150 mijë viktimave të saj.

Por, përse Bashar al-Assad vendosi të organizojë zgjedhje në kulmin e konfliktit të përgjakshëm 3-vjeçar?

Politologët mendojnë se, e gjithë kjo sipërmarrje e presidentit sirian, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të legjitimuar pushtetin e tij.

Zgjedhjet do ta lejojnë Assad-in t’i thotë botës dhe sirianëve se e ka një mandat të ri, dhe se çështja e dorëzimit të postit dikujt tjetër është krejtësisht e pakuptimtë, shprehet Julien Barne-Dacey, ekspert për Lindjen e Mesme, për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Këshillin Europian.
    
Ai nuk e vë aspak në dyshim, që i gjithë procesi nuk do të jetë veçse një farsë e madhe.

Koalicioni Kombëtar Sirian (SNC), si organizata bazë e opozitës dhe grupeve të rebelëve, i cilëson Presidencialet e Qershorit një absurditet.

“Regjimi i Assad-it nuk është votuar asnjëherë, por qëndron prej 44 vitesh si simbol i një diktature familjare”, shkruan organizata, në një deklaratë të saj.

Para Bashar-it, vendin e sundonte babai i tij, Hafez. Nuk mund të ketë zgjedhje, kur një e treta e sirianëve janë në arrati, shton SNC.

As Perëndimi nuk i përshëndet votimet, të cilat grupi “Miqtë e Sirisë”, ku bën pjesë edhe Gjermania, SHBA-të dhe Franca, i cilësojnë një “parodi të demokracisë”.

Në listën zgjedhore qëndrojnë tri emra: pushtetmbajtësi Bashar al-Assad, ish-ministri i Shtetit, Hasan al-Nuzri, dhe deputeti Maher al-Hadxhar.

Rizgjedhja e Assad-it konsiderohet e sigurt. Sipas ekspertit Barnes, me këtë renditje, Asad do të thotë: “Shikoni, ne kemi disa kandidatë, ky është një votim legjitim. Nuk është faji ynë, pse opozita refuzon të marrë pjesë”.

Top Channel