Debatet politike, Rama në Top Story

29/05/2014 00:00

Edhe këtë të enjte shqiptarët panë në parlament një debat të stërzgjatur replikash dhe akuzash mes Kryeministri Edi Rama dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha. Opinioni publik e vlerëson një debat të panevojshëm dhe të padobishëm, por në seancën e kësaj të enjteje do të mbahet një premtim i Ramës.

“Një sfidë kemi ne në këtë sallë, atë që kur budallai hedh gurin, ne të mos shkojmë pas gurit. Sot solemnisht jap fjalën që në këtë sallë unë nuk merrem më me ty. Ty do të të lëmë të flasësh sa të duash sepse nuk duhet të harrojnë shqiptarët se kush je ti. Fol sa të duash! Unë me ty nuk merrem më. Ka vetëm një mënyrë që të merresh me mua; shko në Prokurori dhe provo akuzat. Je autor i gjithë këtyre gjërave që akuzon të tjerët”, ishte premtimi i Kryeministrit  gjatë një replike me ish-Kryeministrin Berisha nga foltorja e Kuvendit.

Por a do ta mbajë apo jo Rama këtë premtim, ashtu si edhe premtime të tjera të fushatës elektorale, akoma më të rëndësishme se ky, si shëndetësia falas, arsimi, rilindja ekonomike e të tjera. Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe aktualitetit politik përballë gazetarit Sokol Balla këtë të enjte në Top Story ishte vetë Kryeministri Edi Rama në një intervistë të drejtpërdrejtë.

Sokol Balla: Një koment të shkurtër, a do e mbani këtë premtim? Aq më tepër kur bëhet fjalë për të shkuarën siç është zoti Berisha? Të replikosh me Bashën është normale…

Edi Rama: Një njeri për fat të keq mban peng Kuvendin dhe PD-në. Pavarësisht se ka shumë gjëra të rëndësishme për të diskutuar, është vërtetë për t’u ndjerë jo mirë kur përfshihesh në atë vorbull. Për sa më takon, unë e konsideroj të mbyllur replikën me liderin e opozitës. Është për fat të keq një personazh i degraduar që udhëheq procesin e degradimit të Parlamentit. Parlamenti duhet të jetë pasqyra e zgjedhjes së bërë nga populli. Unë jam i bindur se shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin dhe që PD në Parlament nuk përfaqëson asgjë nga interesat e atyre që e kanë votuar, por vetëm ato të një grushti njerëzish që nuk u ka dalë ende pija nga vdekja e një pushteti.

Sokol Balla: Edhe ju i përgjigjeni me të njëjtat tone…

Edi Rama: Këtë e refuzoj kategorikisht. Pavarësisht se mund të ketë pasur marrëdhënie të vështira mes nesh në opozitë dhe Parlamentit, nuk ka asnjë gjë që mund të na bëjë të ngjashëm si dy pika uji me ata që janë sot në opozitë, apo që të më bëjë mua dhe qeverinë e sotme me parardhësin dhe qeverinë e djeshme.

Sokol Balla: Kjo reflektohet tek deputetët tuaj, njëri prej tyre rrahu një deputetë të opozitës…

Edi Rama: Është një proces degradimi i debateve të Parlamentit që udhëhiqet nga lideri i PD, për të dëmtuar marrëdhënien që duhet të ketë mes palëve në një demokraci normale, por që është edhe gjëja e vetme që ai di të bëjë. Gjithësesi, unë besoj në rilindjen e brendshme të një grupi që ka humbur gjithçka dhe që sot jeton me të shkuarën, me një frikë dhe rezistencë ndaj shumë lidhjeve që po këputen dita ditës me botën e aktivitetit të paligjshëm. Është humbja e një grushti njerëzish që fituan shumë, por që për fat të keq prej tyre shqiptarët humbën shumë.

Sokol Balla: Ka që mendojnë se ju po paguani koston e sjelljeve tuaja…

Edi Rama: Unë në Parlament nuk jam për të bërë batuta për të humbur kohë, por për të respektuar atë pjesë që populli ka zgjedhur për ta përfaqësuar në Parlament. Puna ime vazhdon pa të shtunë e pa të dielë, pa orar, për t’u marrë me çështjet jetike. Por debati i sotëm na devijoi nga ajo që duhet të bëjmë në këtë periudhë kaq të vështirë që na i ka lënë pushteti i kaluar. Ne po avancojmë dita ditës dhe po shohim rezultatet në luftën kundër krimit, trafiqeve, drogës, në arsim e shëndetësi, pavarësisht se është qesharake të thuhet pas 8 muajsh që duhet shëndetësia falas. Shëndetësia falas është një projekt që kërkon kohën e vetë dhe që do realizohet brenda një mandati. Gjithashtu, ne kemi bërë legalizimet falas dhe po u japim njerëzve titujt e pronësisë.

Sokol Balla: Akuzat e opozitës i krahasuat me mushkonjat…

Edi Rama: Unë kam reaguar ndaj një idiotësie se, në Divjakë çdo natë në ora 8 ngriheshin avionët. Dhe unë thash se, mbase janë mushkonjat që duken si avionët. Kjo ka qenë ajo që unë kam thënë dhe i qëndroj akoma.

Sokol Balla: Po pas ngjarjes që ka ndodhur në Divjakë, mendoni se është mushkonjë apo avion?

Edi Rama: Ne i kemi qëndruar besnik zotimit që është ende në lojë. Ne nuk kemi ardhur në qeveri për të përsëritur gabimet e parardhësve tanë. Kur ne kemi thënë se nuk zotërojmë asnjë provë e fakt të pohuar për këtë formë të trafikut të drogës, kemi qenë tërësisht korrekt dhe besnik ndaj zotimit tonë. Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe SHISH me një deklaratë publike.

Sokol Balla: Por pas kësaj deklarate ndodhi ngjarja…

Edi Rama: Po, por ky është një problem nga i cili ne nuk duhet të habitemi dhe të themi se ky është fundi i botës, pasi kjo formë e trafikut, për të cilin nuk kemi pasur asnjë provë, ndodh në mënyrë të vazhdueshme edhe në vendet e BE-së. Mesa duket e kanë bërë vetë ata kur ishin në pushtet, sepse kjo është zbuluar nga komisioni hetimor që drejtohet nga një deputete me eksperiencë në drejtësi.

Sokol Balla: Ka struktura shtetërore të përfshirë në të?

Edi Rama: Jam njohur me raportin e komisionit, që është i pari komision serioz që ka funksionuar dhe që do të japë prova konkrete se si kjo ka ndodhur më parë.

Sokol Balla: Që ka ndodhur para se të vinit ju në pushtet?

Edi Rama: Po, ka ndodhur para shtatorit. Unë dhe ministrja e Mbrojtjes jemi në dijeni të informacioneve të klasifikuara.

Sokol Balla: Ka struktura policore dhe ushtarake në këtë trafik?

Edi Rama: Nuk dua të jap detaje, por informacioni që unë kam marrë nga komisioni hetimor më ka tronditur për faktin se provat, të cilat unë nuk kam dashur t’i besoj se në Shqipëri mund të kishte trafiqe të tilla, tregonin se kishte një veprimtari të tillë më parë. Kjo ka ndodhur në periudhën kur qeverisnin këta zotërinj që sot me zell të madh bëjnë denoncimet.

Sokol Balla: Është arrestuar një person i tretë lidhur me ngjarjen e Divjakës, duke e bërë ngjarjen më interesante. Ç’mund të na thoni?

Edi Rama: U qëndroj atyre që kam thënë dhe e përsëris se ka qenë një periudhë e vështirë pasi jemi ndodhur në një valë sulmesh nga opozita, bazuar në një përbaltje sa më shpejt e sa më shumë ndaj qeverisë, në një moment kur po i afrohemi datës së statusit kandidat. Në këtë situatë, nga njëra anë dëgjojmë vlerësime dhe inkurajime, sepse më në fund po luftohet droga në Shqipëri, se kjo hordhi që ka qenë nuk është më dhe sepse diçka që ndodhte dje s’merrej vesh, por sot merret vesh, ndodh sepse gjithçka po goditet shumë fort. Po goditen rrjete të ngritura nga ata që kishin pushtetin. Dhe nga ana tjetër dëgjojmë këtë lukuni akuzash.

Sokol Balla: Po akuzoni ata që kanë qenë më parë në pushtet…

Edi Rama: Disponojmë prova të pakontestueshme se kjo ka ndodhur më parë. Mbledhja e forcave të policisë rreth plazhit të Divjakës ishte para se të rrëzohej avioni dhe planifikohej të kapej pjesa në tokë, jo avioni.

Sokol Balla: Sot gazetari i RD-së ka shkruar sërish për trafikun e drogës dhe vazhdon të pretendojë se është kërcënuar me jetë…

Edi Rama: Strukturat përkatëse janë interesuar të gjitha për të verifikuar deklaratat e gazetarit dhe është zbuluar se nuk është e vërtetë. Gazetari nuk jep asnjë provë dhe madje edhe numrat nga të cilët ai thotë se ka marrë mesazhe kërcënuese nuk rezultojnë të jenë numra realë.

Sokol Balla: Dje Partia Demokratike ka kërkuar hetimin e shkarkimeve në administratë. Përse e refuzoni komisionin hetimor për këtë çështje?

Edi Rama: PD ishte në komision, por deputetët e saj u ngritën nga tavolina dhe thanë se duhet një komision tjetër. Ne mund të jemi tolerantë, sa t’i lejojmë në seanca ku shpërfytyrohet Parlamenti dhe ku shkelet me të katër këmbët e opozitës etika, por nuk mund të pranojmë çdo absurditet që kërkohet. Është e rëndësishme të kujtohet se ndaj meje Saliu dhe opozita e sotme kanë ngritur tre komisione. Duan komision hetimor në mënyrë që çdo të enjte ta kthejnë Parlamentin në sallë debatesh të shterpta.

Sokol Balla: Është interesant qëndrimi i Metës. Nuk kemi dëgjuar asgjë në mbrojtje të qeverisë, as nga ai, as nga deputetët e LSI, përkundrazi ka patur ndonjë pickim sic ishte ai i zotit Luan Rama.

Edi Rama: Besoj që ne jemi qeveria e parë në të paktën sa më kujton përvoja ime në këtë periudhë pas shembjes së regjimit, që punon si një skuadër dhe ju siguroj që nuk ka asnjë dallim. Detyrat janë të ndara. Meta është kryetar u Kuvendit dhe po bën një punë të admirueshme në drejtimin e Kuvendit, si një person ashtu sic duhet të jetë mbi palët, cka nuk është aspak e thjeshtë në kushtet e këtij lloji Kuvendi kur imponohet një degradim i përjavshëm. Për asnjë moment nuk mund të them që edhe kur ka patur debat krejt normal brenda shumicës të ketë patur pickime të natyrës që të kemi parë të shkuarën brenda mazhorancës. Sinergjia është e plotë për të formësuar ritmin që duhet të zhvillohet marrëdhënia mes qeverisë dhe grupeve parlamentare apo shumicës, ku të dyja palët kanë shumë për të përmirësuar. Në thelb Aleanca për Shqipërinë Europiane do të transformojë vendin.

Sokol Balla: I rikthehemi situatës në vend. Grevat e këtyre ditëve paradoksalisht mua më kujton situatën e viteve 2010-2012, asaj kohe ishte kryeministër Sali Berisha…

Edi Rama: Mua më kujton shprehjen që historia përsëritet dy herë, njëherë si dramë dhe njëherë si farsë. Këtu jemi në kushtet e një farse. S’ka asnjë të përbashkët këto lloje protestash me ato protesta që diktuan axhendën e vendit në peridhën pas grabitjes së zgjedhjeve në vitin 2009. Janë të pabazuara për arsyen e thjeshtë se nuk ka, nuk ndodh asgjëkundi që një qeveri që ende s’ka mbushur vitin të vendoset përballë një vale protestash mbi thjesht dhe vetëm marrëzinë e lidershipit të një partie dhe për më tepër një qeveri, ku pjesa dërrmuese e ministrave janë ministra për herë të parë, një qeveri ku askush nga ministrat nuk është i lidhur me të shkuarën të vihet në shënjestër nga një tufë ministrash dhe një kryeministër që deri dje e rrënuan vendin në këtë farë feje. Duan të shpëtojnë ekonominë që e lanë në kushtet e një rrënimi të madh dhe borxheve të padeklaruara?

Sokol Balla: Por ju keni bërë mbi 300 demostrata dhe greva dhe që të conit policët të prishin dhe të përcajnë grevën, për ju që keni organizur greva kjo nuk shkon? S’është morale. Një nga organizatorët e grevës po hetohet

Edi Rama: S’është e vërtetë. Nëse do të ishte e vërtetë nuk shkon. Por nuk është e vërtetë. Por për cfarë protestojnë? Janë protesta që mbledhin më pak njerëz. Unë jam i keqardhur për Partinë Demokratike që lindi si alternativa e madhe e këtij vendi që është katandisur në këtë formë. Për çfarë protestojnë? Protestojnë për korrupsionin? Për faktin që janë ulur shifrat e krimit? Që po kapen sasi të mëdha droge dhe po arrestohen njerëz të kërkuar për krime të rënda? Për çfarë?

Sokol Balla: Protestojnë se i keni hequr nga puna. Një gjë s’e kuptoj përse nuk shkoni të dialogoni me ta?

Edi Rama: Mos i ngatërro gjërat që po them. Unë fola për protestën e PD. Vijmë tek grevat. Greva e parë. Me siguri që do kisha shkuar dhe do të kisha takuar grevistët e urisë nëse do të paraqesin një platformë, një numër kërkesash dhe mbështesin një kauzë. Por cfarë dialogu të bësh me njerëz të cilët janë aty për faktin që janë hequr nga puna dhe që duan të kthehen në punë? Kjo s’ndodh. Një pjesë e tyre kanë humbur në gjykatë dhe ndërkohë që sot janë në Shqipëri janë me mijëra njerëz që janë hequr nga puna nga 2005 e deri sot. Kam qenë i befasuar nga fakti që nuk janë kujdesur që të gjejnë njerëz me integritet. Sigurisht, në këtë proces mund të ketë njerëz që janë larguar me të padrejtë. Mund të ketë ndodhur, por si është e mundur që nuk mund të zgjedhin disa njerëz që do të ishin shembuj e që do të na vinin edhe ne në vështirësi, por kanë zgjedhur njerëz që kanë dosjet mal me vërejtje, që kanë probleme të rënda me korrupsionin dhe janë drejtues të PD.

Sokol Balla: Pra nuk do të dialogoni, nuk do të merreni me ta?

Edi Rama: Jo

Sokol Balla:  Po për grevën e ish të përndjekurve?

Edi Rama:
Më vjen keq, por kur drejtuesi i grevës si i i përndjekur pa bërë asnjë ditë burg ka marrë gjatë kësaj periudhë trecerekun e asaj godinës ku janë të përndjekurit dhe e ka kthyer në pronë të veten… Me këtë të dialogojmë ne? Ai drejtues duhet të largohet nga greva, të hapë rrugën dhe të flasim me ata që janë realisht të përndjekur. Kjo qeveri ka nëntë muaj dhe ka arritur të japë për 1 mijë të përndjekur këstin e parë që u takon. Flasim për të përndjekur që janë rreth 80 vjeç që në 23 vjet nuk kanë parë asnjë lek me sy. 1 mijë të tjerë që nuk kanë prekur 1 qindrakë do të marrin këstin e parë deri në fund të verës dhe gjithë kjo në një kohë krize.

Sokol Balla: Kur do kthehet në një fshat normal Lazarati?

Edi Rama: Di të them që në 7 muaj janë goditur 807 raste dhe nuk impresionohem nga ata që i shohin nga larg gjërat dhe as nga aksionet simbolike. Ne kemi një plan të qartë. Do të transforomojmë shtetin dhe policinë e tij. Ne do të çrrënjosim drogën si një simbol negativ për Shqipërinë edhe pse lufta kundër drogës nuk ka përfunduar gjëkundi dhe s’do përfundojë as në Shqipëri. Do të jetë një luftë e vazhdushme. Cfarë prisni që të ndodhte më shumë brenda këtyre pak muajve ndërkohë që Policinë e Shtetit e morëm në dorëzim si një turmë të tradhëtuar me një kupolë të inkriminuar dhe këtë e thoshte raporti i DASH për lidhejt e krimit me zyrtarët e Policisë së Shtetit? Një polici e cila ishte lënë mënjanë edhe nga partnerët. Një nga arsyet pse po kapet kaq shumë drogë është fakti që jemi rilidhur me partnerët dhe nuk po luftojmë më vetëm. Lidhjet u prenë sepse operacionet që normalisht bëhen në bashkëpunim në më shumë se një rast u dështuan nga fakti se ata që duhet të binin në rrjetën e policive u ndaluan përpara nga kupola e Policisë së Shtetit dhe kur vendet e tjera panë që ishte e pamundur të bëhej bashkëpunim, u shkëputën.

Sokol Balla: Këto ditë po përflitet për akuza për marrëveshjen e deti kur Lulzim Basha ishte Ministër i Jashtëm. Përse tani ndaj Bashës? Duket si kundërsulm.

Edi Rama: Unë e di shumë mirë cfarë shqiptarët sot përjetojnë negativisht në raport me ne; faktin që nuk ka ende para drejtësisë përgjegjës të peshës së rëndë.

Sokol Balla: Jo vetëm kaq, por në 2008 akuzonit Fazllic, Fazllic dhe në dhjetor i dhatë intekonjeksionin…

Edi Rama: Kjo është gënjeshtër dhe unë e refuzoj gënjeshtrën. Sa i përket ndëshkimit vazhdoj shpresoj që prokuroria do të cojë përpara një sërë cështjesh të ndjeshme që janë bërë publike dhe që nuk janë bërë publike. Bëhet fjalë për cështje të rënda implikimesh që kanë shkuar deri në kërcënim të stabilitetit të vendit dhe sigurisë kombëtare. Prokuroria ka në tryezë jo një, por shumë cështje të rënda që implikojnë drejtpërdrejtë ish-ministra dhe zyrtarë të lartë. Ne mund të bëjmë cdo gjë, por s’mund të marrim përsipër të bëjmë edhe prokurorin edhe gjyqtarin. Por një gjë, ne nuk do të bëjmë sehir përballë kësaj farse dhe korrupsionit në gjyqësor. Ne do të bëjmë një reformë të drejtësisë pa marrë përsipër të bëjmë gjykatësin dhe prokurorin, por nuk mund të mbyllim sytë përballë gjykatësit dhe prokurorit të korruptuar që në gjithë këto vite ia morën frymën këtij populli.

Sokol Balla: Kancelarja Merkel do të jetë një ambasadore e mirë në këtë Europë që sa vjen e bëhet skeptike për zgjerimin?

Edi Rama: Ju nuk më keni dëgjuar dhe nuk do të më dëgjoni që të dal para gazetarëve dhe të them se mik kam atë dhe sa mik kam këtë. Ajo që mund t’u them është që kancelarja gjermane na ka rezervuar një pritje të denjë për një qeveri që gëzon besimin se do ta bëjë Shqipërinë një vend europian dhe unë personalisht dhe të gjithë ne, jemi të detyruar karshi shqiptarëve që këtë besim dhe këtë pritshmëri ta kthejmë në rezultate. Janë rezultatet e qeverisë shqiptare që po krijojnë një atmosferë të re në marrëdhëniet mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë. Ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend të vogël, por shumë dinjitoz.

Sokol Balla: Do të marrim statusin në qershor?

Edi Rama: Kur unë thosha në dhjetor që Shqipëria u penalizua nga ekstremistë në vendet anëtare, shumëkush dhe me gjithëfarë mënyrash e përqeshën këtë që thashë unë, ndërsa sot jemi përpara provës, jo vetëm Shqipëria u penalizua, por që nga ana tjetër, vetë BE po penalizohet për shkak të rritjes së këtyre forcave ekstremiste dhe unë kam qenë shumë i hapur me të gjithë ata që kam takuar. Ua kam thënë në sy që rruga e zgjedhur nga disa prej forcave të moderuar për të luftuar me këta idiotë që duan të shkatërrojnë BE, që janë shprehje e tendencave racisite, anti-myslimane, që janë me forcë të prirur që ta refuzojnë dhe përbuzin Shqipërinë dhe gjithë rajonin…

Sokol Balla: Sapo quajtët një të tretën e Parlamentit Europian idiotë. Në një intervistë keni quajtur injorantë 90 të deputetëve duke u thënë që nuk njohin mekanizmin e dhënies së statusit. Mendoni që këto deklarata nga Kryeministri i Shqipërisë ndihmojnë kur kanë mbetur pak ditë nga statusi?

Edi Rama: Unë i qendroj deklaratave të mia. Dhe kam quajtur të paditur 90 përqind të deputetëve të vendeve anëtare që nuk e dinë ndryshimin mes statusit, negociatave dhe anëtarësimit dhe kjo është e vërtetë.

Sokol Balla: Edhe njëherë do e marrim apo jo statusin?

Edi Rama: E rëndësishme është që Komisioni Europian thotë po dhe ky është matësi ynë. Ne na duhet një raport pozitiv nga Komisioni dhe këtu e kemi kryer detyrën dhe në momentin që vendet anëtare ulen për ta diskutuar… një pjesë kanë probleme të mëdha me veten. 

Sokol Balla: Ajo deklarata e juaj që nuk ka krim të organizuar shqiptar…

Edi Rama: Nuk ka sepse krimi i organizuar është i përbashkët. Nuk ka krim të organizuar shqiptar, shqiptarët janë të lidhur me grekët, italianët, etj. Mesazhi që përcjellim kudo është që Ballkani dhe Shqipëria i duhen Europës, aq sa na duhet Europa ne, sepse një Europë e siguritë është një Europë e integruar. Ndërveprimi në luftën kundër krimit sjell më shumë rezultate. Unë nuk e pranoj kurrë që krimi i organizuar qënka shqiptar, prostitucioni qënka shqiptar. S’mund të identifikohet Shqipëria me prostitucionin sepse tregu i prostitucionit është në Europë, jo në Shqipëri. Sot ne jemi shumë të vetëdijshëm, jemi një vend i vogël, jemi një vend në mes të Europës, por kemi zërin tonë dhe nuk lejojmë njeri, as që të na marrin nëpërkëmbë, as të na marrin budalla. Shqipëria nuk do të merret më nëpërkëmbë sa herë që ka qenë nevoja.

Sokol Balla: Ka rezonancë mes shqetësimeve të opozitës dhe ndërkommbëtarëve?

Edi Rama: Zero! Nuk ka. Sot ambasada amerikane bëri një deklaratë ku tha se duhet të reflektojë Sali Berisha. Flasin kur ka dicka për të thënë dhe nëse do të ishin të gjitha këto që thotë opozita do të kishte shpërthyer gjithë Europa që këtu ka shpërthyer korrupsioni, ka ardhur karteli i drogës etj. Është arrestuar një gjeneral i korruptuar dhe ai sot doli në mbrojtje të tij. Ne nuk e shikojmë opozitën si një problem, e shikojmë si një ndihmë sepse nëpërmjet kritikave të saj na ndihmon të sistemojmë pozicionet.

Sokol Balla: Akuzoheni se po i merrni kompetencat e Presidentit…

Edi Rama: E pavërtetë. Drafet në Ministrinë e Mbrojtjes janë përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Ka vetëm disa ndryshime ligjore në përputhje me Kushtetutën duke hequr ato atavizmat e vjetra.

Sokol Balla: Keni premtuar shëndetësinë falas…

Edi Rama: E di që e kemi premtuar. Po them ata që kanë njerëz në nevojë për ilace në shtëpi mund ta dëshmojnë që u kemi premtuar që do të heqim taksën mbi ilacet dhe i kemi hequr, që do të japim alternativa për ilacet e rimbursueshme dhe që do të shkojmë drejt uljes së cmimeve të ilaceve dhe jemi në atë rrugë dhe kështu do të ndodhë. Po vazhdojmë të reformojmë sistemin pjesë-pjesë, as spitalet sot nuk janë ato që ne kemi premtuar, por do të bëhen ato që ne kemi premtuar në fund të mandatit kur të japim llogari. Ka ndryshime të rëndësishme, por nukjemi aty ku kemi premtuar. Po punojmë dhe jemi në një ndryshim radikal të zyrave publike. Kemi ardhur në qeveri dhe s’kemi gjetur asnjë projekt.

Sokol Balla: Cfarë u bë me Byronë e Hetimit?

Edi Rama: Është pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe brenda këtij sesioni do të miratohet në Parlament

Sokol Balla: Do ta rishikoni buxhetin 2014?

Edi Rama: Mund të ketë nevojë për rishikim, por kemi nisur edhe diskutimin e buxhetit të 2015. Ajo që është e rëndësishme është që ekonomia ka rifilluar të marrë frymë. Nuk them që ka rifilluar të vrapojë dhe ajo që më bën më shumë krenar në gjithë këtë proces është fakti që kush realisht do të punojë, sot ka mundësi më të mëdha për ta tentuar.
 

Top Channel