Seanca e kësaj të enjteje në Kuvend ka qenë një përplasje e vazhdueshme mes Kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit Berisha.

Seanca u dominua sërish nga debate dhe replika jashtë rendit të ditës mes opozitës dhe mazhorancës. Veç trafikut të drogës që po sundon debatin politik në vend prej disa javësh, seanca u dominua nga debatet për komunizmin dhe Enver Hoxhën.

Kryeministri Rama akuzoi opozitën se ka inskenuar këtë debat dhe grevat e urisë për të prodhuar kaos politik me qëllim pengimin e statusit, por pas replikave të ashpra për përfshirjen në afera apo trashëgiminë komuniste që zgjatën mbi tre orë, Kryeministri deklaroi se kjo ishte hera e fundit që merrej politikisht me paraardhësin e tij.

***

“Kongresi i Përmetit çliroi Shqipërinë. Por problemi juaj është se ju nuk e njihni Luftën Anti-fashiste Nacional Çlirimtare. Ky është problemi juaj me 5 majin dhe 29 nëntorin! Asnjë problem tjetër nuk keni ju! Ne jemi krenar për Luftën Antifashite!”,  deklaroi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Pas tensioneve të krijuara që në fillim të kësaj seance parlamentare, ku nga radhët e opozitës megjithëse ishin regjistruar plot 50 deputetë për të diskutuar, në pjesën më të madhe të saj foli vetëm ish-kryeministri Berisha. Me të replikoi kreu i qeverisë Rama disa herë duke e shndërruar seancën në akuza dhe kundërakuza mes tyre, që nisën nga lidhjet me regjimin komunist.

Por tonet mes Berishës dhe Ramës u acaruan më tej, kur ish-kryeministri bëri akuza të rënda për kreun aktual të qeverisë për lidhje me bandat dhe narkotrafikun, të cilat tha se do t’i provonte nëse mazhoranca do të pranojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

Sali Berisha, ish-Kryeministër: Zbato vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Shumica e komisionit i takon opozitës dhe të garantoj që do të nxjerr cdo lidhje tënden, duke filluar nga lidhjet me bandën e Rrugës së Kavajës, nëse nuk janë të vërteta mbaj përgjegjësi absolute. Po Hakmarrjen për Drejtësi që i dhe qindra e mijëra metra katrorë për ndërtim, po ai hetimi që i vodhe kutitë Spartak Ngjelës. Do t’i bie unë regjistrimet! Do t’i bëj publike! Doni t’i bëj publike të gjitha bisedat e tij, janë me kilometra dhe i disponoj ato. Nëse nuk ka frikë, le të ngrejë komisionin, t’ia paraqes komisionit të gjitha. Po me Dritan Dajtin? Po me këtë tjetrin që e ke bërë zëdhënës?

Edi Rama, Kryeministër: Shko o njeri në Prokurori! Bëhu njeherë burrë dhe pranoje që s’ke asnjë provë për gjërat që flet dhe arsyeja pse sulmon kundërshtarët e tu në këtë mënyrë, dhe arsyeja që ke bërë politikën shqiptare një kanal llumi dhe zullumi e di kush është?! Se je në gjendje t’i bësh vetë ato për të cilat akuzon të tjerët.

Sali Berisha: Mos shit trimëri këtu! Mos bëj trimëri këtu! Ta mban, ngri Komisionin dhe unë të jap fjalën….dy gjëra, të faktoj cdo lidhje, t’i coj në Prokurori. Në rast të kundër nuk shkel më në këtë sallë!

Ilir Meta, kryetari i Kuvendit:  Jo mo! Me këtë s’jemi dakort ne me këtë të fundit.

Edi Rama: Fjala ime sot është për të gjithë ata që vazhdojnë të të japin votën ty, për të gjithë ata që të kanë besuar në 20 e kusur vite, për të gjithë ata që vazhdojnë kujtojnë se ti ke ndonjë gjë seriozisht me këtë vend dhe këtë popull. Ti kurrë nuk ke pasur seriozisht asgjë tjetër ti, përvec pushtetit tënd, familjes tënde, jo si familjes, se ashtu i paç me jetë, por si një tribu me të cilën ke marrë peng Partinë Demokratike, ke marrë peng qeverinë duke përdorur gjithë këta të tjerët sikur ishin sekretarët dhe asistentët e zbatuesit e projekteve të djalit tënd, vajzës tënde dhe gjithë atyre që në emrin tënd shkonin e bënin gjithë zullumet. Ky je ti Sali Berisha! …dhe sot solemnisht jap fjalën këtu, që në këtë sallë unë nuk merrem më me ty dhe ne do të marrim vendimin që ty do të lëmë të flasësh sa të duash sepse nuk duhet të harrojnë shqiptarët se kush je ti!

Top Channel