Kuvendi, masë me vërejtje për deputetët

28/05/2014 00:00

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi në mbrëmje se Byroja Parlamentare vendosi masën me vërejtje për 3 deputetët socialistë dhe 1 demokrat, të përfshirë në incidentin e djeshëm në mjediset e Kryesisë së Kuvendit.

“Byroja shprehu keqardhjen për ngjarjen e ndodhur dhe u distancua nga akte të tilla, duke theksuar se këto ngjarje nuk ndihmojnë në imazhin e punës së Kuvendit”.

Noftimi zyrtar thotë se “Kryetari i Kuvendit ftoi të gjithë deputetët, që të distancohen nga akte të tilla, duke kërkuar vetëpërmbajtje dhe të ruajnë etikën në ushtrimin e funksionit të tyre”.

Korridoret e Kryesisë së Kuvendit u bënë arenë e një përleshjeje fizike mes deputetëve Strazimiri, Qefalia e Prenga, ditën e martë. Sherri nisi pas deklaratave ironike të deputetit demokrat në Komisionin e Ligjeve dhe u zhvillua jashtë dyerve të tij, fillimisht me deputetin Qefalia, dhe më pas me përfshirjen e Prengës.

Përleshja, që degjeneroi në grushte mes deputetëve, nisi kur deputeti socialist Xhemal Qefalia, njëri nga personat që ka qenë pjesë e grupit të kontrollit në SHISH, i ka kërkuar deputetit demokrat Gent Strazimiri, në korridorin e Kuvendit, të mos ia përmendë më emrin, për sa kohë ai nuk e bën një gjë të tillë.

Por, sipas dëshmitarëve, deputeti demokrat reagoi fizikisht ndaj deputetit socialist. Pas zhurmave, që u dëgjuan në korridor, deputetët socialistë Pirro Lutaj dhe Armand Prenga kanë dalë nga Komisioni dhe këtu nisi përleshja e dytë, ajo mes Prengës dhe Strazimirit.

Deputetët Ruçi, Fino, Shalsi, Bylykbashi etj, si dhe punonjësit e Gardës së Kuvendit kanë ndarë deputetët, duke larguar deputetin Strazimiri për në ambiente të tjera të Kryesisë dhe deputetin Prenga në anën tjetër të sallës. Pas konfrontimit fizik, deputetët demokratë lanë Komisionin e Ligjeve.

Reagon Partia Demokratike

Menjëherë pas vendimit të Kuvendit për masat ndaj deputetëve të përfshirë në përplasjen fizike, reagoi edhe Partia Demokratike.

Edmond Spaho deklaroi se me këtë vendim Byroja e Parlamentit barazoi agresorët me të sulmuarin dhe se kjo vërteton edhe një herë se Edi Rama është ideatori i sulmeve kundër opozitës.

“Propozimi i kryetarit të Kuvendit ishte që për këtë ngjarje të rëndë të merret masa vërejtje për deputetin Gent Strazimiri dhe përjashtim 10 ditë nga aktivitetet parlamentare të agresorit Prenga. E konsiderojmë të padrejtë përfshirjen në masë disiplinore të deputetit Strazimiri për shkak se ka shprehur me etikë dhe pa asnjë fyerje mendimin e tij në kryerje të funksionit të deputetit. Kjo ngjarje nuk është e rastit, por e ideuar dhe zbatuar personalisht nga Edi Rama që prej një muaji. Kolegë të përgjegjshëm nga Partia Socialiste na kanë paralajmëruar se zoti Strazimiri ishte piketuar për t’u sulmuar nga deputetë të PS-së. Sulmi është kryer si paralajmërim për të heshtur dhe ndalur denoncimet që ai u ka bërë skandaleve të kryeministrit gjatë seancave plenare. Byroja e Kuvendit e ka trajtuar në mënyrë banale rastin e rëndë duke barazuar agresorët me të sulmuarin dhe duke i dënuar të gjithë me vërejtje. PD-ja i siguron shqiptarët se nuk do të stepet nga dhuna e bandave të narkotrafikut në Kuvend dhe se do i japë atyre përgjigjen e merituar”, tha Spaho.

Top Channel