Andrea Stefani – Ndërsa vëmendja e opinionit është përqendruar te debati politik mbi trafikun e drogës, avionin e Divjakës, protestën apo grevën e urisë së opozitës është një tjetër debat që po zhvillohet thuajse jashtë vëmendjes së tij; ai për reformën në drejtësi.
Si për ironi, kjo çështja e drejtësisë së pavarur, që është kryesorja, dhe nga zgjidhja drejt apo gabuar e së cilës varet edhe se ç’rrugë do të marrin të gjitha çështjet e tjera që shqetësojnë prej më shumë se dy dekadash shqiptarët, nuk gëzon vëmendjen e tyre. Dhe jo rastësisht. Tradicionalisht, shqiptarët janë mësuar të gjejnë mbrojtje jo në dyert e gjykatave, por në dyert e partive politike. Madje edhe kur detyrohen të shkojnë në gjykatë, e marrin ndonjë “letër” rekomandimi nga partia. Dhe është një fat që më në fund, edhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Tiranë, që deri më sot kanë mburrur “progresin” e drejtësisë, po flasin “shqip” mbi gjendjen e mjeruar ku është katandisur pushteti gjyqësor. Në fakt, që nga rënia e komunizmit e këtej, shqiptarët dhe klasa e tyre politike kanë dështuar të ndërtojnë atë që quhet shteti i së drejtës. Në vend të tij kemi sot një shtet të së padrejtës, një Republikë të Padrejtësisë. Një statuskuo që nuk mund të zvarritet më. Ose drejtësia do nisë të hedhë rrënjë ose vendin mund ta shpëtojë nga kaosi apo despotizmi i korrupsionit dhe mafies, vetëm një EULEX për Shqipërinë.
***
Drejtësia e pavarur është një dukuri e panjohur në Shqipëri. Të familjarizuar vetëm me forma patriarkale apo despotike të tutelës, shqiptarët ende nuk e kanë shijuar mbrojtjen që të jep një pushtet i pavarur drejtësie. Dhe meqenëse drejtësia është një emër i dytë për lirinë (Burke), shqiptarët nuk kanë provuar ende lirinë. Prandaj edhe sot e kësaj dite nuk i kushtojnë vëmendje të posaçme reformës në drejtësi. Më së shumti e perceptojnë atë si një çështje të klasës politike që kjo e fundit, mund ta zgjidhë si t’i duket më e përshtatshme. Dhe në fakt, ajo ashtu ka bërë deri më sot. E ka “zgjidhur” çështjen e drejtësisë si i ka ardhur për shtat. Nuk e ka lejuar drejtësinë të shndërrohet në një kufizuese të pushtetit dhe arbitraritet të qeverive, por përkundrazi, e ka shndërruar atë në një mjet për justifikimin e abuzivizmit qeveritar mbi qytetarët e deri për mbrojtjen, me ligj e procedura, të korrupsionit qeveritar të të gjitha ngjyrave. Joaquin Urias, drejtuesi i misionit europian të asistencës për drejtësinë (EURALIUS) ka shumë të drejtë kur konstaton se “situata e përgjithshme e drejtësisë është shumë e keqe”. Në fakt, më keq nuk ka si bëhet. Qytetarët nuk kanë fare besim te drejtësia, ndërkohë që vendimet gjyqësore janë përdorur për të justifikuar nga vjedhja e votave e deri te korrupsioni i hapur në zyrat e shtetit! Pandëshkueshmëria dhe korrupsioni galopant janë pjella binjake të një shteti të lënë pa drejtësi. Në sajë të mungesës së drejtësisë, pushteti vidhet dhe vjedh. Demokracia është shndërruar në grabitje, ndërsa liria nuk ekziston askund. “Drejtësia” është shndërruar nga armike në avokate e korrupsionit. Sa për ilustrim: Përse duhet që të shpronësuarit nga komunizmi t’i drejtohen për të drejtën e tyre të pronës Gjykatës së Strasburgut? Sepse nuk gjejnë drejtësi në Atdheun e tyre të dashur të mbetur pa drejtësi!
***
Në 23 vjet “drejtësia” nga armë për të luftuar korrupsionin është bërë pjesë e problemit, pjesë integrale e korrupsionit galopant që po mbyt shtetin, domethënë, qytetarët. Politikanët dhe qeveritarët, duke hartuar ligje që i lejojnë të kenë një pushtet të madh mbi emërimet në prokurori dhe gjyqësor, janë shndërruar tutorë të drejtësisë. Karriera e gjykatësit apo prokurorit nuk varet nga sa i shërben drejtësisë, por nga sa i shërben partisë që e ka promovuar. Nuk është aspak e vështirë që në vendimet e gjykatave, veçanërisht për çështje me konotacionin politik si Gërdeci, rruga Durrës-Kukës apo 21 janari, të qëmtosh gjurmët e gishtërinjve të vullnetit politik partiak. Ato janë zgjidhur jo si e do ligji dhe e drejta, por si kanë dashur njerëz me pushtet të implikuar në këto korrupsione dhe krime. Ky dhunim i të drejtës dhe ligjit në gjykata, ka bërë që parimi i barazisë para ligjit të tingëllojë në veshët e qytetarëve një tallje, ndërsa drejtësia e pavarur, si një utopi. Prandaj një nga detyrat më urgjente, është të çlirohet drejtësia, prokuroria dhe gjykatat, nga zinxhirët e politikës. Dhe një hap i parë në këtë drejtim do të qe edhe realizmi i asaj që propozohet edhe nga EURALIUS pra që: Anëtarët e Gjykatës së Lartë të mos zgjidhen nga Parlamenti me shumicë të thjeshtë për të penguar që, si deri më sot, shumica të zgjedhë ca delfinë të saj. Duhet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) të çlirohet nga tutela e politikës duke larguar nga KLD si Presidentin e Republikës ashtu edhe ministrin e Drejtësisë. Anëtarët e KLD duhet të shkarkohen nëse nuk respektojnë ligjin në mënyrë që të shmanget edhe kalimi nga tirania e politikës mbi drejtësinë te tirania e gjykatësve mbi politikën dhe shoqërinë. Shumica duhet të humbasë edhe monopolin mbi zgjedhjen e kryeprokurorit. Sepse nuk ka asnjë kuptim që kush ka qeverinë të caktojë edhe se kush do jetë në krye të agjencisë që duhet të hetojë korrupsionin e qeverisë. Edhe zgjatja e mandatit të kryeprokurorit më shumë se dy mandate qeverisëse do të ishte një masë preventive që të pakësonte mundësinë e rënies së tij viktimë e hakmarrjes së një qeverie korrupsionin e së cilës sapo e ka hetuar. Janë reforma disa nga të cilat që të realizohen kërkojnë ndërhyrjen në Kushtetutë. Që do të thotë edhe konsensusin e të gjitha palëve. Dhe kush nuk jep konsensus për këto reforma do të hedhë mbi vete dyshimin se ose është shumë i korruptuar ose nuk është për shtetin ligjor.
***
Masa të tjera që propozohen, sikundër një lloj decentralizimi i punës në prokurori, depatriarkalizimi i punës në gjykata dhe rritja e transparencës publike në to, janë shumë të rëndësishme për të startuar një përmbysje, në pushtetin e drejtësisë. Në fakt, duhet përmbysur sundimi i politikës mbi drejtësinë. Që bashkë me të, të përmbyset edhe pushteti i korrupsionit që bashkëshoqëron pashmangshëm qeverisjet. Është një revolucion që nëse dështon, atëherë Shqipërinë, demokracinë dhe shansin e lirisë për të, mund ta shpëtojë nga diktatura e një politike të mafiozuar vetëm një EULEX.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel