Cameron vendos “vijën e kuqe”

28/05/2014 00:00

Gazeta më e madhe në Britani, “The Sun”, e sheh fitoren dërrmuese të UKIP-it dhe disfatën e konservatorëve, si goditjen e paralajmëruar ndaj David Cameron, për injorimin e çështjes nevralgjike të emigracionit në vend.

Është koha që ai, jo vetëm të dëgjojë, – shkruan “The Sun”, duke iu referuar kryeministrit, – por edhe të nisë e të veprojë. Pesë muaj më parë, – bën të ditur gazeta prestigjioze, – kur duhet të negocionte një marrëveshje më të mirë me Brukselin, kreu i ekzekutivit u nxit të kërkonte pushtetin për frenimin e emigrantëve, si “vija e tij e kuqe”.

“E paralajmëruam se emigracioni masiv pa kontroll është shqetësimi kryesor i njerëzve; se vërshimet po prekin spitale, shkolla, transportin e strehimin në disa zona. Miliona votuesit, që mbështetën UKIP-in të dielën, janë plotësisht dakord me këtë. Por asgjë nuk ndodhi nga sa u pretendua”.

Cameron, – vazhdon “The Sun”, – e fshehu kokën në rërë, në lidhje me rritjen e numrit të emigrantëve, me pretendimin se ekzekutivi është i pafuqishëm përballë rregullave të lëvizjes së lirë. Por, dallga e protestës anti-BE në mbarë kontinentin nuk mund të injorohet, – thuhet më tej në artikull. – Të shqetësohesh për emigracionin nuk është racizëm, është thjesht çështje numrash dhe përfitimesh nga vendi ynë.

Sipas “The Sun”, janë britanikët ata që vendosin, e jo BE-ja. David Cameron-it i duhet të veprojë për të përcaktuar të ardhmen e vendit dhe, për të ndryshuar kurs, ai ka vetëm 343 ditë në dispozicion, përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Përballë këtij zhvillimi ngrihen pikëpyetje të reja, se cili do të jetë qëndrimi i Londrës në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së në Qershor, ku do të diskutohet statusi i Shqipërisë si vend kandidat në Bashkimin Europian, pasi, në takimin e Dhjetorit, Cameron u rreshtua krahas vendeve skeptike që i thanë “jo” statusit për vendin tonë.

Top Channel