Axhenda e Parlamentit të ri Europian

27/05/2014 00:00

Deputetët e rinj të Parlamentit Europian duhet të tregojnë fillimisht pak durim. Në muajin Korrik, ata mblidhen në seancën konstituese në Strasburg dhe mund të votojnë për një President të ri të Komisionit Europian.

Nëse Parlamenti dhe kryetarët e shteteve e qeverive do të kenë rënë në ujdi deri atëherë, për një kandidat, kjo është e paqartë.

Mospajtimet, mbi marrëveshjen e planifikuar të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara, ishin temë e nxehtë e fushatës elektorale për zgjedhjet europiane.

Ndërkohë që përkrahësit e një zone të lirë tregtie, për 800 milionë qytetarë, shpresojnë në rigjallërimin e tregtisë mes dy fuqive ekonomike, kundërshtarët i druhen zbutjes së standardeve të rrepta europiane, e produktet ushqimore të manipuluara gjenetikisht jane vetëm njëri prej shembujve ilustrues të frikës së tyre.

Ashtu siç ndodh rëndom në çështjet e tregtisë, negociatat me Uashingtonin i kryen vetëm Komisioni Europian. Mandatin për këtë e ka marrë Qershorin e 2013-s. Palët fillimisht planifikonin negociimin përfundimtar, deri në fund të këtij viti, por duket se afati do të zgjatet deri në 2015-n.

Deputetët e rinj kanë shumë më tepër kohë në dispozicion, për të ushtruar ndikim në negociata dhe marrëveshja nuk mund të hyjë në fuqi përveç se me miratimin e tyre. Por, rritja e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë e të majtë, kundërshtare të bisedimeve të tregtisë së lirë, i shton ndjeshëm mundësitë e kompromentimit të negociatave.

Ekziston një aleancë e pazakontë mes ekstremeve, kur vjen fjala te marrëveshja e tregtisë së lirë, – thotë Mats Persson, drejtues i “Think Tank”-ut “Open Europe”.

Qendra e gravitetit në Parlamentin e ri europian, sipas tij, tanimë do të spostohet më shumë drejt proteksionizmit. Populistët nuk mund ta bllokojnë marrëveshjen, por miratimi i saj ka për të qenë shumë më i vështirë, e do të varet në masë të madhe nga krijimi i një koalicioni të gjerë të partive të qendrës.

Top Channel