Prandelli rinovon me Italinë, deri në 2016

26/05/2014 00:00

“Më falni për vonesën, por më duhej të firmosja kontratën”. Kështu është prezantuar tekniku i kombëtares italiane, Cesare Prandelli, përpara konferencës për shtyp, ku dhe ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Federatën italiane të Futbollit (FIGC) deri në vitin 2016.

“Po, po, është zyrtare. Deri në fund të Europianit 2016 do të më keni këtu. Ju befasuam me këtë”. Në mëngjes, kishte qenë vet presidenti i FIGC, Giancarlo Abete, që kishte thënë se për firmën e Prandelli-t “do të gjehej dita e duhur”.

“Tani, të mos hyjmë në detaje, sepse kemi një objektiv shumë më të rëndësishëm – ka vazhduar Prandelli. Nga Shtatori e në vijim mund të flasim për projektet dhe programet tona. Gatishmëria për rinovim ka qenë këtu e dy muaj më parë, por kjo periudhë na ka shërbyer për të formuluar kontratën. FIGC ka dashur të më përfshijë edhe sa i përket të drejtave të imazhit, ndaj dhe është pritur kaq gjatë”. Paga e trajnerit të Italisë pritet të jetë 1 milion e 450 mijë euro.

Më pas, tekniku i “axurrëve” ka folur edhe për të ardhmen e afërt. “Kemi pasur një javë intensive pune, tepër të rëndësishme, dhe të gjithë janë shumë mirë. Listën prej 23 lojtarësh nuk e kam vendosur ende, por do të përcaktohen gjatë këtyre ditëve. Të shtunën kemi ndeshje”.

Top Channel