
Njeriu që, me të gjitha gjasat, do të jetë presidenti i ardhshëm i Ukrainës, në vendin e tij njihet si “mbreti i çokollatave”, një sipërmarrës miliarder, që zotëron firmën Roshen.
Shqetësimi për te ardhmen e atdheut, siç thotë, e shtyu të ndërmerrte udhëtimin e rrezikshëm në Krime, tre muaj më parë dhe të hynte në garën presidenciale.
48-vjeçari, i diplomuar si ekonomist, shfrytëzoi mundësitë e ofruara nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në 1991-shin, për të blerë një fabrikë të vjetër ëmbëlsirash. Nuk vonoi shumë, që ai të grumbullonte aq pasuri, sa sot të konsiderohet ndër njerëzit më të kamur në vend.
Tashmë një politikan me eksperiencë, edhe pse i paanëtarësuar në ndonjë parti, Poroshenko ishte oligarku i vetëm, i cili e mbështeti që në fillim lëvizjen pro-europiane.
48-vjeçari gëzon si mbështetjen e BE-së, ashtu dhe atë të Shteteve të Bashkuara, e mbetet një zë i fuqishëm në favor të integrimit europian dhe pro-NATO-s.
Pikërisht ky është premtimi kryesor i “mbretit të çokollatave”: afrimi me Perëndimin, farkëtimi i lidhjeve më të ngushta me bllokun europian, ndërsa do të pritet me interes strategjia e tij në rajonet e trazuara lindore, ku premton të rivendosë paqen.
Kur vizitoi Berlinin në fillim të Majit, njeriu që është zotuar të jetë “presidenti i të gjithë ukrainasve”, deklaroi se nuk do të kishte negociata me separatistët, apo më mirë terroristët, siç i quan ai.
“Kush mban në duar mitralozin dhe vret njerëz të tjerë, kupton vetëm një gjuhë – tha atëherë miliarderi 48-vjeçar, – gjuhën e dhunës”.
Por, në thelb, Poroshenko e përshkruan veten si një politikan pragmatik, që të ardhmen e Ukrainës e sheh në Europë, duke shpresuar njëkohësisht të zbusë marrëdhëniet me Rusinë, falë aftësive diplomatike të fituara gjatë kohës kur ishte ministër i Jashtëm i vendit.
Top Channel