Andrea Stefani – Është skandaloze, në pikëpamje botëkuptimore, festimi që iu bë Kongresit të Përmetit 60 vjet pas mbajtjes së tij më 24 Maj 1944.
Jo thjesht se disa veteranë të luftës NÇL u mblodhën në Përmet madje edhe brohoritën për Enver Hoxhën! Nostalgjia për një të kaluar ku kanë investuar jetën e tyre si dhe refuzimi për të kuptuar se përse historia e ka hedhur poshtë si të pavlerë atë investim sublim, është njerëzor. Është e vështirë, deri tej kufijve të njerëzores, të pranosh se ideali të cilit i kushtove jetën, paska qenë i gabuar. Prandaj është e pritshme që egoizmi, sedra e kërcënuar të gjejë strehë te moskuptimi i asaj që ka ndodhur por edhe i asaj që po ndodh. Por veteranët janë të lirë të brohorasin sa të duan për ish-diktatorin dhe për ta, vetëm mund të nënqeshësh me dhimbje. Si për një brez në ikje që u viktimizua nga trillet dhe kurthet e historisë dhe që s’do ta pranojë. Por çështja bëhet më shqetësuese kur shikon se në këto festime nostalgjike marrin pjesë pushtetarë të lartë si Ilir Meta apo edhe deputetë të Partisë Socialiste në pushtet. Dhe çfarë thonë e deklarojnë?! Se Kongresi i Përmetit paska qenë një ngjarje e lavdishme e luftës për çlirim, por fryma e të cilit u deformua më vonë. Kjo është alarmuese! Sepse ka të bëjë me reflektimin ndaj së kaluarës, ka të bëjë me mësimet që duhen nxjerrë nga historia nëse nuk duam të përsëritim kobet e saj. Dhe ato që po dëgjojmë për Kongresin e Përmetit këto ditë, janë një reminishencë e propagandës komuniste të para 25 vjetëve. “Kongresi i Përmetit themeloi shtetin shqiptar të demokracisë popullore” – pretendojnë rekordet e propagandës së regjimit komunist. E përkthyer me gjuhën e së vërtetës tashmë të provuar në 45 vjet diktaturë kjo përkthehet: Kongresi i Përmetit themeloi shtetin e diktaturës komuniste! Atëherë përse festojnë këta politikanë? Nuk besoj se është paaftësi reflektimi. Duket më shumë se një nevojë banale për të siguruar ca vota prej një gjenerate të mashtruar nga historia. Por me një kosto të rëndë për të ardhmen: sakrifikimin e së vërtetës në lidhje me të kaluarën. Që do të thotë, të investosh gënjeshtrën për ardhmërinë.
***
Kongresi i Përmetit ishte manipulimi politik nëpërmjet të cilit, Enver Hoxha dhe Partia Komuniste realizuan metamorfozën e shndërrimit të rrjedhojave të luftës për çlirim nga pushtuesi i huaj, në rrjedhoja të një revolucioni komunist. Me Kongresin e Përmetit akaparohen, monopolizohen nga liderët komunistë përfitimet politike të luftës për çlirim dhe fitores mbi fashizmin. Në sajë të këtij monopolizimi çlirimi i vendit nga i huaji nuk u pasua nga liria por nga skllavëria e shqiptarit prej shqiptarit. Sundimi fashisto-nazist u zëvendësua nga një tjetër sundim me tipare shumë të ngjashme me të, nga sundimi komunist. Festimi nga e majta në pushtet i Kongresit të Përmetit ka edhe një rrjedhojë tjetër negative. Do t’i japë rast berishistëve në opozitë, pikërisht atyre që u përpoqën të instalojnë një demokraturë me tipare fashiste, t’u rikthehen akuzave për nostalgjinë diktatoriale të së majtës.
***
Nuk është e nevojshme të gërmosh shumë në dokumente historike për të kuptuar se Kongresi i Përmetit nuk hodhi themelet e lirisë por të diktaturës. Që ai ishte një deformim. Jo rastësisht edhe diktatori Enver Hoxha, në kujtimet e veta, e përfshin atë ngjarje në procesin politik të cilin e përkufizon si hedhja e themeleve të “Shqipërisë së Re”. Por Hoxhës ashtu i përkiste, ta shiste Kongresin e Përmetit si ngjarje të lavdishme. Sepse nëpërmjet tij, me gjakun dhe eshtrat e të rënëve në luftë për çlirim u gatua betoni i themeleve të diktaturës së proletariatit që, sikundër thotë poeti “muret të qëndronin”. Dhe nuk qëndruan pak, por thuajse gjysmë shekulli.
***
Kongresi i Përmetit ka qenë një nga aktet gjeniale politike të Enver Hoxhës. Por është një gjenialitet i zi (mund ta quani edhe i kuq por kujdes mos na dalë kuqezi) që nuk ka të bëjë fare me lirinë. Si në rastin e jo pak diktatorëve të tjerë të suksesshëm, Kongresi ishte rrjedhojë e momentit kur triumfoi më i forti. Enveri e kapi këtë moment për të mos e lëshuar. E kuptoi se duhet ta bënte të qëndrueshme epërsinë e vet, të paprekshme edhe nga koniunkturat ndërkombëtare. Është momenti kur nën maskën e demokracisë, së cilës nuk i del kundër hapur, gjeniu i sundimit farkëton prangat e reja për masat që e duartrokasin si lirisjellës. Gjëja e parë që bën është përjashtimi nga konkurrenca politike, si tradhtarë të Atdheut, i monarkistëve. Dhe me çfarë argumenti? Sepse Zogu paska ndjekur një politikë që paska sjellë pushtimin e Shqipërisë nga Italia dhe se ia paska mbathur kur u pushtua vendi. As kam ndër mend të mbroj mbretin Zog por, cili mbret nuk u largua kur vendi u pushtua nga të huajt në rrethanat e një rezistence të pamundur, të pashpresë? Tradhtia që Zogu u ka bërë shqiptarëve nuk është largimi më 7 prill por fakti që gjatë viteve të mbretërimit të tij, nuk mbolli lirinë por despotizmin. Faj për të cilin sot historia e barazon me atë që e përzuri në emër të Atdheut, Enver Hoxhën.
***
Komunistët shfrytëzuan xhelozinë e masave të varfra, shpesh të përligjur për shkak të diferencimit të skajshëm pasuror, ndaj klasave të pasura. Dhe e gërshetuan me shkathtësi këtë ndjenjë urrejtjeje me patriotizmin natyrshëm kundër të huajit. Ndërkaq klasat e kamura, ngurronin të bënin kauzë të përbashkët me komunistët sepse ylli i kuq në kapat e tyre, lëshonte ca rreze që i bënin t’ju fanepsesh, jo pa të drejtë, ajo që në fakt ata sollën më pas, diktatura shpronësuese e proletariatit. Kërcënimi bolshevik i bëri të ngurronin të hidheshin më pa rezerva në luftë kundër fashistëve, kundër këtyre armiqve të armiqve të tyre. Komunistët e Enver Hoxhës vepruan me shkathtësi mes këtyre ndjenjave, frikërave dhe kalkulimeve. Ata e maskuan luftën për pushtet me luftën për çlirim. Klasat e pasura e demaskuan luftën e tyre për pushtet në luftën për çlirim. Rrjedhimisht, në fund të luftës komunistët internacionalistë ishin jo vetëm më të fortë ushtarakisht por edhe “më patriotë”, “më nacionalistë” se kundërshtarët e tyre nacionalistë.
***
Nga këto pozita të më të fortit, Enver Hoxha mori vendimin e padrejtë për ndalimin e kthimit të mbretit Zog në Shqipëri. Edhe në disa shtete të tjera monarkët kishin qenë bashkëpunues me fashistët. Në Itali, për shembull. Por mos vallë kishin qenë më pak bashkëpunues italianët? Prandaj çështja e regjimit u përcaktua demokratikisht me anë të një referendumi popullor. Italia u bë Republikë, sepse fitoi mbi monarkinë me 54 për qind të votave. Monarkia humbi, por Italisë i mbeti liria! Ndalimi i kthimit të Zogut në Shqipëri ishte një lojë e forcës, një diktat, një premisë e eliminimit të pluralizmit politik dhe lirisë në Shqipëri. E koncertuar e gjitha me mashtrim nën emrin e “sovranit popull” që nuk ekzistonte asgjëkund. Nga Kongresi i Përmetit e në vazhdim për 45 vjet, sovrani i vetëm i Shqipërisë ishte diktatori Enver Hoxha. Jo rastësisht, Shqipëria ju kthye këtij problemi në vitin 1997 kur edhe u votua një referendum për formën e regjimit. Dhe monarkia humbi.
***
Rreth 24 vjet pas rënies së diktaturës komuniste është groteske të festosh një kongres ku u hodhën themelet e asaj diktature. 24 vjet nga përmbysja e diktaturës t’i gëzohesh Kongresit si edhe vetë dikur Diktatori?! Asgjë nuk mund ta justifikojë një qëndrim të tillë anakronik përveçse disa nevoja të çastit të luftës për pushtet. Nevoja për të marrë aprovimin dhe votën e nostalgjikëve të plakur që mallëngjehen kur shohin se paska ca politikanë të rinj që nuk e hedhin fare poshtë të kaluarën. Vërtet, e kaluara nuk duhet hedhur fare poshtë. Por ka në të kaluarën ca gjëra, dhe Kongresi i Përmetit është një nga ato, që i duhen nënshtruar kritikës së rreptë të së vërtetës historike pa marrë parasysh, zemërthyerjet, zemërimin, dhimbjet që shkakton e vërteta. Ca vota më pak as duhen llogaritur si kosto.
Top Channel