Ilir Yzeiri – Të dielën, vendet që janë anëtare të Bashkimit Europian votojnë për institucionet parlamentare europiane dhe nga ajo që duket prej lajmeve që vijnë nga vendet kryesore të këtij Bashkimi, europianët po bëhen skeptikë gjithnjë e më shumë dhe projektin europian nuk e shohin si një projekt pozitiv.
Në Ukrainë mbahen zgjedhjet gjithashtu dhe problemet që mund të vijnë prej andej askush nuk i parashikon. Zgjedhje do të mbahen edhe në Kosovë dhe aty të gjithë lutin Zotin që ato të jenë të lira dhe të drejta. Në Maqedoni, para pak ditësh, gati sa nuk u ndez përsëri një vatër tensioni etnik. Europa dhe bota në përgjithësi është mbërthyer në darët e krizës dhe ekonomia është fjala kryesore pothuajse në të gjitha ligjërimet politike. Vetëm në Shqipëri nuk merret vesh se çfarë ndodh. Në krye të marrëzisë kolektive prej disa kohësh është vënë Sali Berisha që po e tërheq PD-në drejt greminës dhe po e lë vendin pa opozitë. Ai ka prodhuar një rrëfim halucinant për drogën dhe kërkon me çdo kusht që halucinacionin e tij ta bëjë kauzë publike, duke thënë se Edi Rama është baron i drogës. Atëherë kur të gjithë prisnin (unë jo) që Lulzim Basha ta modifikonte ëndrrën halucinante të Berishës, ai, jo vetëm që nuk e bëri këtë, por ndërmori aksionin më qesharak opozitar duke organizuar një nga protestat më të turpshme dhe më të dhembshme gjithashtu kundër qeverisë. Por kulmin e shënoi një tjetër demokrat i orëve të para dhe i rreshtuar në fund pas Berishës dhe pas Lulit. Ky ishte Eduard Selami. Mbështetja e tij me zë dhe figurë për protestën e turpshme të opozitës ishte jo vetëm qesharake, por edhe mjerane, sepse nga ato që thoshte dukej se më shumë kishte mendjen që të ledhatonte Lulin sesa të artikulonte të vërtetën opozitare. Një tjetër formë e reagimit është bërë këto ditë jo vetëm letra e hapur që zakonisht nënshkruhet nga intelektualë, por edhe reagimi kolektiv në emër të disa institucioneve publike, siç janë fakultetet. Në rastin e parë, një grup intelektualësh proteston kundër LGBT-së, pastaj zbulohet se ai grup nuk është një zë i vetëm, por është një frymë që u shpërndahet disa trupave, të cilët si rregull nuk pyeten. Rasti tjetër më flagrant është reagimi në grup i disa fakulteteve të Universitetit të Tiranës, të cilët nuk janë dakord me platformën që ka paraqitur një grup pune pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Kështu, Fakultetit të Filologjisë iu shtua ai i Drejtësisë dhe në fund edhe ai i Shkencave. Por çfarë paraqesin këto dukuri nga pikëpamja e komunikimit? Ligjërimi politik është peng i një njeriu të vetëm. Sali Berisha është ankormeni i ligjërimit politik dhe, në krye të opozitës reale, ai ka mbi dy muaj që tregon ëndrrat e tij halucinante duke mos ua lëshuar vendin aktorëve të tjerë të skenës politike. Dhe imazhi që ne shfaqim jashtë ka në qendër një vend që politikisht është në një luftë, i cili ka si protagonist një ish-kryeministër që ka më pak se një vit që ka lënë pushtetin dhe e ka katandisur këtë vend në një plantacion gjigant droge, një ish-kryeministër që ka vjedhur e ka vrarë dhe që është larguar në mënyrë plebishitare nga qeverisja dhe atë që e sfidoi duke e rrëzuar në mënyrën më të thellë të mundshme. Mirëpo, meqenëse në Shqipëri nuk ka tharm opozitar, qendrën e këtij grupimi e ka zënë ky i marrë që artikulon nga mëngjesi në darkë përrallën me drogë e baronë droge. Qeveria që ka ardhur në pushtet me votë plebishitare duket se është qeveria më komode e planetit, sepse ndaj saj nuk ka asnjë presion, nga asnjë grup shoqëror i artikuluar. Vendin dhe sheshin i ka zënë i marri i PD-së, bashkë me Lulin, dhe Shqipëria është në gjumë. Gjendja skandaloze ekonomike, mungesa e reformave, ngadalësimi i ritmeve të zhvillimit ekonomik nuk janë pjesë e ligjërimit politik, sepse ne nuk kemi opozitë. Edhe atëherë kur nis një reformë, siç është ajo në arsimin e lartë, folësi konkret fshihet pas organizmave të paidentifikueshme, siç janë emrat e institucioneve dhe thënia duket se është pa folës e për pasojë pa bashkëfolës. Kjo reminishencë e ligjërimit socialist, kur individi njehsohej me institucionin, është një metonimi e kapërcyer në vendet perëndimore. Në këto vende, reformat kundërshtohen me protesta dhe me identifikim të problemeve. Drafti mund të ketë shumë mangësi, por është cinike të thuash se x fakultet kundërshton vetëfinancimin e studentëve, sepse ka shumë studentë të varfër, kur vetë studentët që preken nga kjo pjesë e reformës nuk reagojnë, nuk ngrihen në protestë. Përfundimisht, Shqipëria sot është në ditën më të errët të saj. Ajo sot është pa opozitë dhe pa opinion publik. Mbi këtë Shqipëri mund të bësh çfarë të duash, ashtu siç bënë para kësaj qeverie të gjithë, nga Zogu e deri te Sali Berisha.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel