F1, Rosberg “princi” i Monakos

25/05/2014 00:00

Nico Rosberg fiton Çmimin e Madh të Monakos. Piloti gjerman i Mercedes, i cili u nis nga vendi i parë pas “pole-position”-it të siguruar ditën e shtunë, arriti të ruante pozicionin e tij, duke u mbrojtur gjatë gjithë kohës nga shoku i tij i skuadrës, britaniku Lewis Hamilton.

Hamilton arriti të mbante nën presion gjatë gjithë garës gjermanin, por pa mundur ta parakalonte. Fati i keq i tij bën që të kishte probleme me pamjen dhe të humbiste shumë kohë ndaj pilotit që kishte pas shpine, Daniel Ricciardo-s me Red Bull, e megjithatë arriti ta mbante pas australianin deri në përfundim të garës.

Garë e mirë mund të cilësohet kjo e principatës për australianin, por edhe Red Bull, të cilët kishin një ritëm fantastik veçanërisht në xhirot e fundit, duke tentuar edhe vendin e dytë, por pa sukses.

Ferrari vazhdon të zhgënjejë, edhe pse spanjolli Alonso siguron vendin e katërt në një garë të vështirë si ajo e Montekarlos. Një nxitim i Raikkonen, kur kishin mbetur 3-4 xhirot e fundit, bën që të mos marrë kthesën në formë “U” siç duhej dhe të dëmtonte makinën e tij, duke penguar disi edhe garuesit e tjerë pas shpine, e duke e mbyllur në vendin e 12.

Pikët e para në një botëror të Formulës 1 ka mundur të sigurojë edhe Marussia, pas vendit të 9 të Jules Bianchi.

Renditja përfundimtare e Çmimit të Madh të Monakos: Rosberg, Hamilton, Ricciardo, Alonso, Hulkenberg, Button, Massa, Grosjean, Bianchi, Magnussen.

Top Channel