Champions, “Da Luz” kryeqyteti i Europës për 2 orë

24/05/2014 00:00

Stadiumi “Da Luz” i Lisbonës, kryeqendra e kontinentit për më shumë se dy orë, është gati për të pritur finalen spanjolle të Champions League, e cila do të vendosë se cila skuadër, Real Madrid apo Atletico Madrid, do të jetë mbreti i Europës për këtë edicion.

Drejtuesit e policisë vendase kanë dyfishuar numrin e forcave blu në patrullim, pasi janë rreth 120 mijë tifozë madrilenë, që kanë ardhur për të mbështetur skuadrat e tyre, ndërkohë që kapaciteti i stadiumit “Da Luz” është vetëm 65 mijë e 647.

Nën drejtimin e Ancelotti-t, Real Madrid kërkon ta fitojë për herë të 10 trofeun më të rëndësishëm në Europë për klube. Tekniku italian do të ketë në këtë supersfidë yllin e skuadrës, Cristiano Ronaldo, i cili për shkak të një dëmtimi nuk luajti ndeshjen e fundit në kampionat, ndaj Espanyol, ndërkohë që ende nuk dihet nëse Karim Benzema do të hyjë në fushë që nga minuta e parë.

“Cristiano është stërvitur pa probleme, – ka deklaruar Ancelotti. – Nëse do të shohim statistikat do të vërejmë, që ne kemi nevojë për të. Pepe dhe Benzema janë bashkuar së fundmi me grupin, shpresojmë që të jenë në gjendje të mirë fizike”, ka përfunduar tekniku italian i Real-it.

Për skuadrën e Atletico-s, e cila rikthehet pas 40 vjetësh në një finale Champions-i, vazhdon të mbetet në dyshim aktivizimi i dyshes Diego Costa dhe Arda Turan, të dëmtuar në sfidën ndaj Barcelonës, ku ata u shpallën edhe kampionë të La Liga-s. Por, kjo gjë nuk e shqetëson Simeone-n, i cili shprehet se në konceptin e tij, grupi është më i rëndësishëm se individi.

“Do të shohim se çfarë do të bëjmë me Diego Costa-n dhe të dëmtuarit e tjerë. Ata janë stërvitur mirë, por duhet të kuptojmë mirë gjendjen e tyre, – theksoi Simeone. – Arda dhe Costa janë vetëm emra, janë të rëndësishëm, por ne kemi të tjerë, që janë në gjendje t’i zëvendësojnë. Jemi gati për gjithçka”, ka përfunduar tekniku argjentinas.

Cilado skuadër, që do ta fitojë Champions-in, tifozët madrilenë do të jenë të kënaqur, pasi kupa me “veshët e mëdhenj” do të jenë për 1 vit pronë e qytetit të tyre.

Top Channel