Të rejat që solli censusi

23/05/2014 00:00

Të dhënat që u prodhuan nga censusi kanë sjell detaje dhe informacione vërtet interesante. INSTAT ka publikuar 11 analiza dhe 12 produkte, për të cilat ka folur në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, Gjergj Filipi, drejtor i përgjithshëm i INSTAT.

Filipi foli edhe për një eksperiment të bërë nga INSTAT, ku sipas të cilit në vendin tonë kemi të bëjmë me 37 zona urbane, ndërkohë që ligji njeh 74 të tilla.

Pandi Gjata: Prej dy ditësh po publikohen të dhëna dhe detaje interesante që vinë nga censusi. Të gjitha këto analiza që ju keni bërë, sa afër të vërtetës janë?

Gjergj Filipi: Analizat tentojnë t’i çojnë shifrat sa më afër realitetit në mënyrë që t’i interpretojnë ato. Censusi në vetvete është një ushtrim statistikor, i cili tenton të fotografojë realitetin, ky është synimi parësor. Diskutimi është se shoqëria i kupton fenomenet statistikore në një mënyrë të ndryshme, prandaj është e domosdoshme të bëhen analiza të kësaj kategorie.

Pandi Gjata: Mund të na thoni disa nga gjetjet më të fundit që përbëjnë interes edhe për publikun?

Gjergj Filipi: Ne kemi analizuar të dhënat e dala në dhjetor të vitit 2012. Ne thërritëm një sërë ekspertësh ndërkombëtarë të cilët mbi këto të dhëna prodhuan 12 produkte për publikun shqiptar. Nëse do të bëjmë projeksionet e popullsisë, si do të jetë avancimi ndër vite i popullsisë shqiptare. Kemi disa të dhëna relativisht shqetësuese. Nga 2001 deri në 2011 kemi pasur një fluks migrator sërish të lart. Karakteristika parësore e këtyre është që në dekadën e fundit kemi edhe emigracion të disa grup mosha femrash që janë nënat e popullsisë, për rrjedhojë ritmet e rënies së popullsisë. Së pari ka rënë ritmi i lindshmërisë për nënë, ndoshta edhe si pasojë e bashkimit me emigrantët. Ky ritëm është alarmant dhe rreth 13 vjet më pas, në 2027, do të arrimë një pikë ku lindjet nuk do të na zëvendësojnë dot vdekjet.

Pandi Gjata: Do të kemi një popullsi të plakur?  

Gjergj Filipi:
Tashmë e kemi një popullsi më t plakur dhe më jetëgjatë, deri diku sepse kemi lindje shumë të ulëta. Ky nuk është një fenomen që nuk është hasur edhe në vende të tjera sidomos në Europë. Tashmë është një nevojë absolute që të shihen disa instrumenta. Në 2024 prurjet që do të vinë nga 15-19 vjeçarët në tregun e punës nuk do të balancojnë dot daljet që do të bëhen nga 65-69 vjeçarët. Një tjetër problem është papunësia e të rinjve. Censusi i 2011 tregon një normë alarmante të papunësisë së të rinjve, jemi diku te 50% i papunësisë së të rinjve.

Pandi Gjata: Ndalemi te një shifër që lidhet edhe me kontekstin e reformës territoriale. Si janë shifrat për popullsinë në zona rurale, por edhe në ato urbane, kë mund të quajmë sipas analizave qytet apo fshat?

Gjergj Filipi: Ne bëmë një eksperiment, i cili doli shumë i suksesshëm. Ne tentuam të shohim se si të dhënat e shpërndarjes së popullsisë të analizoheshin jo sipas kontureve që i kemi vënë bashkive, komunave, apo qyteteve dhe fshatrave, të analizoheshin sikur Shqipëria të ishte e gjitha e zbrazët nga ndarjet e brendshme. Me këtë studim ne arritëm në një konkluzion shumë interesant. Nëse vendi do të ndahej në katrorë nga 1 km katrorë do të shikonim se si shpërndahej dendësia e popullsisë. Ne u referuam Eurostat-it, i cili përdor një kriter të tillë për të ndarë urbanet nga ruralet dhe thotë nëse një qelizë ka më shumë se 300 banorë për kilometër katror dhe nëse një grup qelizash të cilat ndërlidhen me njëra tjetrën dhe përbëjnë të tëra një popullsi prej 5 mijë banorësh, atëherë zona konsiderohet urbane. Pasi ne përfunduam këtë eksperiment kuptuam që në vendin tonë kemi të bëjmë me 37 zona urbane, ndërkohë që ligji njeh 74 qytete, kështu kuptuam një nevojë për një ndarje të re. Iu referuam sërish Eurostat-it për të kuptuar si përkufizohen ato zona urbane, të cilat konsiderohen qytete të mirëfillta, në fakt rezultati nuk ishte shumë i mirë, vetëm 5 qendra urbane të vendit mund të përmbushin definicionin e BE-së për të qenë qendra urbane në formën e qyteteve. Me siguri që reforma territoriale do të prodhojë një rezultat.  

Pandi Gjata: A është hera e parë që këto shifra analizohen në këtë formë, a mund t’i bëjë dikush tjetër dhe nëse po, për çfarë mund të përdoren?

Gjergj Filipi: Është herë e parë që shifrat e ndarjes së popullsisë në urbane dhe rurale bëhen po ashtu si homologët tanë në BE.

Pandi Gjata: Shifrat janë të vështira për tu perceptuar nga të gjithë, a mund t’i preki çdo person?

Gjergj Filipi: Jo nëse ato nuk marrin një dimension të tretshëm për popullsinë. Ne tashmë kemi hapur një faqe të re që quhet Instatgis, ku qytetarët aty mund të zgjedhin nivelin gjeo-administrativ që duan të analizojnë.

Pandi Gjata: Presim të tjera rezultate nga këto analiza?

Pandi Gjata: INSTAT-i i ka të kufizuara kapacitetet analitike sepse ne kemi ngarkesë të madhe kërkimore dhe pjesën e analizave ta kemi si vlerë të shtuar, por që nuk na ndërhyn në punën tonë të përditshme. Nuk ka asnjë census në Shqipëri të jetë shoqëruar me 12 analiza të kësaj kategorie. Kemi pasur ekspertët më të mirë të censusve që ekzistojnë në glob.

Top Channel