F1, Alonso: Kualifikueset janë decizive

23/05/2014 00:00

Provat e lira të së enjtes kanë lënë Ferrarin dhe Fernando Alonson të shpresojnë më shumë dhe të mos e lënë këtë rast t’u ikë nga duart.

“Në Monako, ajo që vlen më shumë gjatë provave të lira është të bësh sa më shumë xhiro të mundesh – ka shpjeguar piloti spanjoll i “kokëkuqes”, – sepse është një pistë e veçantë dhe nevojitet të kesh një përshtatje sa më të mirë me makinën. Kompleksiteti i kësaj piste mbetet gjithnjë i njëjtë, ndaj dhe një performancë e mirë gjatë kualifikueseve do të jetë decizive edhe për garën e së dielës”.

Duket se do të jetë e rëndësishme edhe menaxhimi i gomave super të buta të Pirelli-t. “Gripimi i mirë i gomave në vetëm pak xhiro të bëra, – shton Alonso, – nuk të lë dyshime mbi faktin që do të jenë këto gomat e nevojshme për t’u përdorur gjatë pasdites së të shtunës, ndërkohë që për garën është ende herët për të folur, pasi askush nuk ka bërë xhiro të gjata. Mendoj se sa i përket strategjisë, duhet të improvizojmë disi”.

Ndërkohë, Lewis Hamilton është shfaqur i kënaqur me provat e së enjtes në Monako dhe, mbi të gjitha, për faktin që ka mundur të gjejë një rival. “Jam i kënaqur, kemi bërë disa ndryshime dhe në kemi dalë mirë, pavarësisht pistës. Kemi bërë zhvillime të reja, edhe pse këtu ndihen shumë pak. Gjithsesi, ndjenja e përgjithshme është pozitive dhe jam gati të luftoj. Për këtë shkak, është bukur të shohësh përpara Alonso-n dhe dy makinat Red Bull”, tha piloti anglez i Mercedesit.

Top Channel