Presidenti i Nigerisë dënon bombardimet

21/05/2014 00:00

Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan, ka dënuar dy shpërthimet në qytetin e Josit duke thënë se ishte një sulm “mizor dhe djallëzor”.

Nga shpërthimi i dy bombave ditën e martë humbën jetën 118 persona, por mendohet se ka ende trupa të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga bombat.

Presidenti i shtetit afrikan tha se është i vendosur të luftojë terrorizmin edhe pse është kritikuar shumë për mungesën e sigurisë në vend. Ai e konsideroi sulmin si një “agresion tragjik ndaj lirisë njerëzore”.

“Presidenti Jonathan siguron të gjithë nigerianët se qeveria është e vendosur të fitojë luftën kundër terrorizmit dhe nuk do të frikësohet nga kundërshtarët e progresit dhe qytetërimit”, tha zyra e tij e shtypit.

Shpërthimi i dytë në Jos erdhi 30 minuta pas të parit duke vrarë pjesëtarët e ekipeve të shpëtimit që kishin mbërritur për të ndihmuar pas shpërthimit të parë.

Nigeria kohët e fundit është përballur me sulme të shumta nga grupi militant islamik Boko Haram. Muajin e kaluar ky grup rrëmbeu 200 vajza nga një shkollë në Chibok.

Nigeri, tjetër sulm i BH, 17 viktima
Grupi islamik besohet të ketë mësyrë fshatin, të ketë vrarë dhe grabitur ushqime e mjete

Grupi islamik Boko Haram akuzohet për vrasjen e të paktën 17 personave, pas një sulmi në një fshat në veri-lindje të Nigerisë, pranë rajonit ku qindra vajza u rrëmbyen nga shkolla dhe mbahen ende pengje.

Sulmi vjen një ditë pasi 118 persona mbetën viktima të shpërthimit të dy bombave në qytetin qendror të Jos-it, për të cilat akuzohet sërish Boko Haram. Në sulmin e fundit, luftëtarët e kësaj organizate raportohen të kenë kaluar disa orë duke vrarë e grabitur në fshatin e Alagarno-s, një fshat shumë pranë Chibok-ut, nga ku u rrëmbyen vajzat muajin e kaluar.

Rrëmbimi i tyre shkaktoi irritim ndërkombëtar dhe nxiti fuqitë e huaja të dërgojnë këshilltarët ushtarak për të asistuar ushtrinë nigeriane.

Njerëzit në pjesën veri-lindore të Nigerisë janë jashtëzakonisht të tronditur nga sulmet, pasi shumë zona janë të pamundura për t’u shkelur nga ushtria dhe kryengritësit veprojnë lirisht, raporton korrespondenti i BBC.

Dëshmitarë në Alagarno thanë se luftëtarë të dyshuar të Boko Haram mbërritën gjatë mesnatës, duke detyruar shumë rezidentë të arratisen nëpër shkurre. Militantët u larguan nga fshati rreth 4 orë më vonë, me ushqime dhe mjete të grabitura. Një i mbijetuar tha për BBC se çdo ndërtesë në fshat është rrënuar.

Top Channel