Pakistan, sulmi ajror vret 60 militantë

21/05/2014 00:00

Pakistani deklaron se ka vrarë 60 militantë në Uaziristanin Verior, përmes një sulmi ajror që mund të konsiderohet si më fatali, por që vë në dyshim bisedimet e paqes.

Në një deklaratë qeveritare për shtyp thuhet se mes personave të vrarë ndodhen komandantë të rëndësishëm të militantëve dhe persona të huaj, por nuk saktësohet se cilët janë dhe nga janë.

Banorët e lokalitetit Mir Ali, ku ndodhi sulmi, kanë treguar se kanë dëgjuar shpërthime të fuqishme, si dhe kanë parë helikopterë e avionë të fluturojnë mbi territor.

Uaziristani Verior është një bastion i guerrilasve talebanë dhe militantëve të lidhur me Al Kaedën. Ai është një nga zonat tribale ku ligji është inekzistent, por ushtria ka arritur t’i shtyjë militantët jashtë bazave të tyre, duke i çuar në zona më të largëta.

Qeveria është përpjekur të nxisë bisedimet e paqes me talebanët pakistanez, por ushtria e plotfuqishme e vendit e sheh me mosbesim lëvizjen.

Zyrtarë të hershëm ushtarakë deklaruan se sulmi ajror i së mërkurës u krye pas informacioneve të konfirmuara për vendndodhjen e militantëve dhe komandantëve të lartë të tyre.

Edhe pse autoritetet nuk i bënë publikë emrat e komandantëve të vrarë, ato saktësuan se bëhej fjalë për urdhërues të sulmeve të fundit kundër forcave të armatosura pakistaneze.

Të paktën nëntë ushtarë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën nga një bombë e vendosur anës rugës në këtë rajon më herët gjatë muajit, atentat ky që iu atribua fraksioneve rebele.

Top Channel