Mafia italiane ekzekuton pasaniken franceze

21/05/2014 00:00

Trashëgimtarja e njërës prej familjeve më të pasura të Monakos vdiq në spital pas plagëve të marra gjatë një atentati të tipit mafioz të organizuar kundër saj më 6 maj.

Helene Pastor, 77 vjeç, e afërme e familjes që drejton principatën e vogël, e njohur për ‘lumenjtë’ e parave që vërshojnë aty kryesisht në aktivitetin e kazinove vdiq në spitalin “St Roch” në qytetin e Nice-s.

Autoritete franceze kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe dyshimet e para bien mbi një goditje mafioze të organizatave italiane Ndrangheta dhe Camorra, që besohet se po zgjerojnë kontrollin e tyre në rivierën franceze duke investuar në prona të paluajtëshme.

Edhe shoferi i 77-vjeçares, Mohammed Darwish, 64 vjeç mbeti i plagosur rëndë nga breshëria e plumbave që ranë mbi makinë. Ai ndërroi jetë më 10 maj.

Hetuesit francezë besojnë se mafia italiane po përpiqet të përdorë paratë e përfituara kryesisht nga aktiviteti i drogës për të investuar në rivierën franceze dhe familja Pastor ishte një pengesë pasi zotëron godina shumëkatëshe me vlera miliarda euro në të njëjtën zonë.

Princi i Monakos, Alberti II shprehu ngushëllimet për familjen Pastor, ndërsa autoritetet franceze veç ngushëllimeve të shprehura deklaruan se po bëjnë gjithcka për të identifikuar atentatorët.

Një dëshmitar nga vendi i ngjarjes deklaroi se ka parë agresorin kryesor hipur mbi një motoçikletë dhe me një armë të vogël automatike që po i afrohej me shpejtësi makinës së Pastor, ndërsa nga pamjet filmike të kamerave të vendosura në rrugën ku ndodhi sulmi shihet se si autori pas krimit kërcen në një makinë që largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Top Channel