Italia, rregullat e Prandelli-t

21/05/2014 00:00

Për të marrë maksimumin nga Brazili skuadrat pjesëmarrëse janë të kujdesshme edhe për detajet më të vogla, që nga ushqimi, sjellja e deri tek marrëdhëniet familjare.

E këtij ‘rregulli universal’ të botërorëve nuk i ka shpëtuar as Italia. Trajneri i “axurrëve”, Prandelli publikoi listën me pesë rregullat që duhet të zbatohen nga futbollistët e tij.

I pari lidhet me rrjetet sociale. Lojtarët do të jenë të lirë të përdorin këto rrjete, por jo pa censurë. Ata nuk duhet të komentojnë taktikat apo t’i referohen skuadrës në rrethana të tjera, si dhe të shmangin deklarata që mund të ngjallin polemika.

Rregulli i dytë lidhet me lirinë për të folur me mediat. Cdo futbollist mund të flasë me mediat pasi kjo shihet si mënyra më e mirë për të komunikuar me tifozët. Por edhe këtu duhet patur kujdes. Në media nuk duhet të flitet për taktikat dhe gjithmonë jo në momente të papërshtatëshme. Se cfarë kupton Prandelli me momente të papërshtatëshme? Për momentin askush s’e di.

Rregulli i tretë lidhet me ushqimin. Edhe Italia ka grupin e saj të dietologëve që do t’u imponojnë lojtarëve ushqimet e caktuara për të qenë në maksimumin e formës së tyre.

Familja. Lojtarët mund të takohen me familjarët e tyre në resortin e Mangaratiba-s, por jo në cdo moment. Takimet do të jenë të kufizuara dhe me orare të mirëpërcaktuara.

Vetëkontrolli. Grupi vlen më shumë se krenaria personale. Prandeli rithekson nevojën për një vetëkontroll të plotë dhe me etikë në stërvitje dhe lojë.

Top Channel