Turqi, Erdogan ndryshon kurs pas tragjedisë

19/05/2014 00:00

Arrestimet në Turqi për tragjedinë e minierës së Soma-s janë përkthyer gjerësisht si përpjekje e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan për të ndërruar kurs, pas komenteve polemizuese që bëri në lidhje me fatkeqësinë, apo reagimin e ngadaltë të autoriteteve.

Disa persona u vunë në pranga, e akuzohen për vrasje nga pakujdesia, ndërsa nga ana tjetër qeveria është duke përgatitur ndihma financiare për familjet e prekura.

Shumë mendojnë se përmes këtyre lëvizjeve, kreu i ekzekutivit po përpiqet të minimizojë pasojat e fatkeqësisë përpara zgjedhjeve presidenciale, e në tablonë e një kandidature të suksesshme të tij, protestat dhe njerëzit e zhgënjyer nuk përshtaten.

Pas nxjerrjes së viktimave të fundit nga miniera, qeverisë turke i duhet të tregojë dinamizëm e vendosmëri. Vetëm pak ditë më parë, Erdogan shkaktoi indinjatë të madhe me pohimet e tij në Soma, se incidente të tilla janë pjesë e pashmangshme e kësaj industrie, ndërsa nuk përmendi në asnjë moment nevojën për të nxjerrë mësime, duke praktikuar rregulla më të forta.

Opozita mendon se, pas lëvizjeve të fundit fshihet përpjekja e qeverisë për t’ia hedhur të gjithë fajin sipërmarrjes “Soma Holding”, ose punonjësve të caktuar të minierës. Edhe ajo vet kërkon që tragjedia të hetohet nga një Komision parlamentar, por nën këndvështrimin e shkeljeve të mundshme të qeverisë dhe autoriteteve.

Ndonëse ende nuk e ka paraqitur kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të 10 Gushtit, Erdogan mendohet se do ta hedhë shumë shpejt këtë hap dhe, sipas sondazheve, ka shanse të mira që të marrë postin e kreut të shtetit.

Top Channel