Ilir Yzeiri – Të gjithë filozofët e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar që janë marrë me ligjërimin publik, kanë vënë në dukje se me anë të ligjërimit, njeriu jo vetëm e tregon botën, por edhe e krijon atë, në kuptimin që ne, me anë të gjuhës, flasim për objektet apo dukuritë e botës dhe në të njëjtën kohë e rrëfejmë atë duke e treguar me anë të imazheve, koncepteve e modeleve mendore që ruajmë në memorie.
Bodrijar është një nga filozofët e ligjërimit që, sidomos pas sulmit mbi Kullat Binjake, e thelloi teorinë e tij për irrealitetin e jetës duke vënë në dukje se ne jetojmë më shumë jetën virtuale sesa jetën reale. Një tjetër filozof i ligjërimit, Mishel Fuko, në vitet ‘60 botoi veprën e famshme “Historia e çmendurisë” dhe më vonë “Fjalët dhe sendet”. Në të parën analizoi për herë të parë çmendurinë si një shmangie nga arsyeja dhe të çmendurin e vështroi si tjetrin përjashtues, ndërsa në veprën e dytë ai ndërtoi lidhjen mes botës së fjalëve dhe botës së sendeve duke u përpjekur të shpjegojë se çfarë ka në mes të këtyre dy botëve. Këto studime, por edhe shumë të tjera, e modernizuan disiplinën e komunikimit në përgjithësi dhe e shenjtëruan gjithashtu fjalën. Fjala u vështrua si shenja qendrore e njeriut, si cilësia themelore e jetës së tij. Teori pa fund nisën të ndërtohen mbi këtë vështrim. Në vendet perëndimore, sistemi politik mbështetet mbi konkurrencën partiake dhe demokracia vështrohet si një sistem që si mjet të vetëm ka fjalën dhe ligjërimin në tërësi. Ndërkaq, pas Luftës së Dytë Botërore, blloku i Lindjes dhe Shqipëria sidomos, ndërtuan një sistem politik në të cilin jeta ndërtohej jo duke shenjtëruar fjalën, por duke shenjtëruar luftën dhe vdekjen, përjashtimin dhe asgjësimin e tjetrit që regjimet totalitare e shpallnin kundërshtar.
Fjala, ndotësi më i madh akustik
Shqipëria hyri në epokën demokratike pa asnjë institucion të mendimit. Elita shqiptare që u përfshi në politikë kishte të depozituar në memorie një ligjërim që mbështetej tërësisht në rrëfimin e jetës sipas modelit të luftës. Demokracia shqiptare u paraqit që në fillim si një vazhdim herë karikaturor e herë tragjik i ligjërimit komunist. Megjithëse në elitën politike shqiptare u përfshinë edhe intelektualë që e kishin refuzuar në mënyra të ndryshme ligjërimin politik komunist, ata nuk arritën që të imponoheshin mbi komunistët e konvertuar në demokratë, të cilët përfaqësoheshin në mënyrë shembullore nga Sali Berisha. Për fat të keq, kundërshtarët politikë të regjimit komunist, elita e tyre ose ishin asgjësuar ose ndodheshin jashtë, por edhe ata nuk arritën të zinin një vend të dallueshëm dhe të imponoheshin në ligjërimin publik. Kështu, triumfatorë si komunistët në vitin 1944, neokomunistët demokratë që u shfaqën në krye të Partisë Demokratike në vitet ‘90, për fat të keq, instaluan me një forcë tjetër pikërisht ligjërimin neokomunist sipas të cilit ata ishin fitimtarët dhe të tjerët ishin kundërshtarët. Fjalimet e Berishës sidomos, por edhe shtypi i PD-së nisi të ndërtohej me metafora që merreshin nga lufta dhe kundërshtari vizatohej me ngjyrat e armikut. Në ligjërimin publik zbritën gjithashtu edhe imazhe të ndeshjes kalorësiake me dyluftime qesharake. Në më shumë se një rast, kundërshtari thirrej të dilte në shesh, të përballej atje në shesh të burrave me bajlozin blu. Në gjithë këta vjet, Parlamenti Shqiptar u shndërrua në foltoren më primitive të të gjitha kohërave. Kulmin e arriti sidomos nën drejtimin e Topallit. Për fat të keq, kjo zonjë që vinte nga një qytet martir, kishte në subkoshincë gjithë fjalimet e Enver Hoxhës të kthyera mbrapsht dhe instaloi në Kuvend një ligjërim mashkullor të mbushur me thirrje për linçim, me sherr grash në radhën e qumështit, të asgjësimit të kundërshtarit me nënë e babë dhe të triumfit të ligjërimit banditesk, sipas të cilit fitimtari pasi e ka vrarë kundërshtarin, “e nxjerr për zhelesh jashtë”.
Avioni dhe ligjërimi që ndërtohet me drogë
Në Itali, në vendin që e marrim shpesh si model për të parë jo vetëm veten tonë, por edhe modele gjithfarësh të kulturës apo të demokracisë, këto ditët e fundit janë arrestuar rreth gjashtë deputetë për ngjarje nga më të ndryshmet. Berluskoni po kryen dënimin në një azil të sëmurësh. Po ashtu, ish-ministri i Thesarit të SHBA-së, në një libër të tij, ka treguar se ndaj Berluskonit është bërë një kurth dhe Gjermania e Franca komplotuan së bashku, sipas tij, që ai të largohej nga pushteti. Ata i kërkuan ndihmë edhe Obamës, por sipas ish-ministrit të SHBA-së, Obama nuk pranoi që t’i lyente duart me gjakun e Berluskonit, është shprehur në mënyrë metaforike, ish-ministri amerikan. Siç shihet, në Itali mund të ndërtoheshin romane pa fund dhe vendi mund të përmbytej me debate horror, televizionet apo mediat nga mëngjesi në darkë kishin ngjarje dhe lëndë për të ndërtuar histori dhe drama horror. Mirëpo ai që e ndjek sadopak median italiane, sidomos televizionin, ka vënë re se mediat në atë vend vijojnë po të njëjtin rrëfim. Tregojnë Italinë dhe në pjesën më të madhe ka informacion të lehtë, humor, filma, muzikë dhe madje vetë Berluskoni që është pronar i tri rrjeteve mund të dalë me sinkron vetëm pak minuta. Ndërsa në Shqipëri, droga është bërë ushqim mediatik nga mëngjesi në darkë. Po t’u kthehemi atyre që thashë në fillim, pra po të mbajmë në vështrim që ne jetojmë më shumë jetën virtuale dhe jo atë reale, i bie të themi se mediat tona, për fat të keq, tregojnë jo atë që ka ndodhur, por halucinacionet e Berishës dhe të të gjithëve atyre që me drogën kanë nisur të ndërtojnë gjithë paranojat e mundshme. Në një vend normal, kjo mund të ishte një ngjarje dhe e rëndë, ndoshta, por nuk mund të ishte ngjarje që të drogonte gjithë vendin. Publiku do të kishte dëgjuar një lajm, pastaj do të priste të dëgjonte institucionet gjegjëse. Te ne nuk ndodh kështu. Vjen dita e enjte dhe të gjitha mediat pa përjashtim transmetojnë drejtpërdrejt jo atë që ndodh, por halucinacionet apo botën që na tregon një i çmendur në rastin më të keq ose një kundërshtar politik i qeverisë në rastin më të mirë. Ne të gjithë nuk jemi populli që prekemi nga ngjarja e Divjakës, ne kthehemi në spektatorë që jemi thirrur të dëgjojmë monologun e një aktori të dalë mendsh që nuk tregon atë që ndodh, por tregon botën që ka ndërtuar ai vetë me mjetet e halucinacioneve, rrëshqitjeve psikike, deformimeve të gjithfarëllojshme dhe ulërimave. Gjithë këtë mediat tona na e shesin për realitet, duke harruar se sipas filozofëve të ligjërimit, ky është rrëfimi i një njeriu të vetëm për dramën personale që ai vuan, pse është përzënë nga shqiptarët prej pushtetit, pra bota e parë prej tij, jo bota reale.
Top Channel