Gazi, Rusia pranë marrëveshjes me Kinën

19/05/2014 00:00

Rusia dhe Kina janë në fazën finale të arritjes së marrëveshjes për eksportin e gazit rus në tregun kinez.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Pekin, Xinhaua duke cituar presidentin rus, Vladimir Putin deklaroi se marrëveshja është shumë pranë arritjes.

“Për Rusinë implementimi i këtyre marrëveshjeve përkthehet në diversifikim të eksporteve të gazit, ndërsa për partnerët tanë kinezë mund të përkthehet në ulje të nevojave për energji dhe ndihmë të sigurisë ekologjike”, deklaroi Putin.

Deklarata e Putin u bë para vizitës së presidentit rus në Kinë për të marrë pjesë në samitin dy-ditor të Shangait ku dy vendet pritet t’i japin fund bisedimeve që zgjasin prej dy dekadash në lidhje me gazin. Një marrëveshje e tillë, ku Moska do të eksportonte 38 miliard metër/kub gaz në vit drejt Pekinit, do të shkëpuste Rusinë nga varësia që ka me tregun Europian, tregu më i madh i gazit të Siberisë.

Agjencia shtetërore e gazit, Gazprom në fundjavë deklaroi se marrëveshja për të eksportuar gaz në 30 vitet e ardhshme drejt Kinës është pranë nënshkrimit.

Në fillim të këtij muaji, korporata kineze e karburanteve deklaroi se kishte arritur një marrëveshje paraprake me Gazprom që do të nënshkruhet gjatë vizitës së Putin, por shtoi se mbeten ende për t’u sheshuar disa qëndrime të kundërta në lidhje me cmimin e gazit.

Përdorimi i gazit po rritet me shpejtësi në ekonominë kineze. Brenda vitit 2020 autoritetet parashikojnë që vendi të konsumojë 400 miliard metër/kub gaz, 38 prej të cilave nëse do të ketë një marrëveshje me Moskën, do të sigurohet nga Rusia.

Top Channel