Zvicra, referendum për pagën minimale

18/05/2014 00:00

Zvicerianët do të votojnë në një referendum gjatë së dielës, mbi aplikimin ose jo të asaj që mund të jetë edhe paga minimale më e lartë në botë.

Nëse miratohet, punëdhënësit do të duhet të paguajnë punonjësit me minimumin 22 franga zviceriane (25 dollarë, 18 euro) në orë. Mbështetësit thonë se lëvizja është e nevojshme për njerëzit, për të jetuar një jetë më të mirë.

Por, kritikët argumentojnë se kjo do të rriste koston e prodhimit dhe më pas papunësinë, sepse të rinjtë do ta kishin shumë më të vështirë të gjenin punë.

Korrespondentë tthonë se propozimi “për të mbrojtur pagesën e barabartë” është ndër më premtuesit e disa referendumeve të së dielës.

Ato përfshijnë gjithashtu një plan kontrovers për të blerë avionët luftarakë suedezë “Gripen”, për Forcat Ajrore të Zvicrës, dhe për të vendosur ndalimin përjetë të të punuarit me fëmijë të pedofilëve të dënuar.

Por, është pikërisht propozimi i mbështetur nga Sindikata e Tregtisë për të siguruar një pagë vjetore jo më të vogël se 32 mijë euro, ai që ka provokuar më shumë debate.

Masa, sipas argumentuesve, është e nevojshme për shkak të kostos së lartë të jetesës në qytetet e mëdha zviceriane, siç janë Gjeneva dhe Zyrihu.

Sindikatat janë të irrituara se Zvicra, një nga vendet më të pasura në botë, nuk ka një nivel minimum page, siç kanë fqinjët e Francës dhe Gjermanisë.

Ato thonë se të mbijetosh me më pak se 4000 franga në muaj nuk është e mundur për shkak të qirasë, sigurimeve shëndetësore dhe ushqimit, që janë të gjitha të shtrenjta. Paga minimale në Gjermani do të jetë 8,5 euro në orë, duke nisur nga viti 2017.

Top Channel