Putin mbërrin në Kinë

18/05/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Shangai, në prag të samitit përmes të cilit Rusia dhe Kina shpresojnë të thellojnë marrëdhëniet.

Dy vendet pritet të bëjnë një njoftim “thelbësor” dhe të nënshkruajnë disa marrëveshje, raporton agjencia “Xinhua”. Gjithashtu, dy liderët do të shënojnë dhe nisjen e një stërvitjeje të përbashkët ushtarake të marinave përkatëse.

Samiti vjen në një kohë kur Rusia dhe Kina po përballen me kritika në lidhje me çështjet e Ukrainës dhe atë të Detit të Kinës së Jugut. Vizita shënon udhëtimin e parë të zotit Putin në Kinë që kur presidenti Xi Jinping mori drejtimin e vendit.

Në një intervistë për një media kineze përpara mbërritjes së tij, Putin e cilësoi Kinën si një “mik besnik të Rusisë” dhe tha se dy vendet kanë arritur një fazë të re në marrëdhëniet dypalëshe dhe ushtarake.

“Nuk do ta ekzagjeroja po të thosha se bashkëpunimi mes dy vendeve tona është në nivelet më të larta historike”, deklaroi lideri rus.

Kina është partneri tregtar më i madh i Rusisë, me tregtinë dypalëshe që në vitin 2013 sollën 90 miliardë dollarë fitime, ndërkohë që dy vendet po përpiqen ta dyfishojnë volumin e të ardhurave në 200 miliardë brenda kësaj dekade.

Korrespondenti i BBC, John Sudworth deklaroi se Rusia po kërkon gjithashtu të arrijë marrëveshje në fushën e energjisë, që do të sillte transportin e gazit rus në Kinë.

Por Kina në këtë rast vështirë se do të dojë një marrëveshje, duke parë problemet aktuale të Rusisë në Evropë.

Top Channel