K. Veriut, apologji për shembjen e ndërtesës

18/05/2014 00:00

Korea e Veriut ka kërkuar falje për shembjen e një ndërtese banimi në Penian gjatë javës së kaluar, nga e cila besohet të kenë vdekur dhjetra persona.

Aksidenti mendohet të ketë ndodhur në Penian të martën, por u raportua mëngjesin e së dielës nga Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA. Sipas saj, shembja ndodhi në rajonin Phyongchon të Penianit.

Edhe pse nuk është ende e qartë se sa njerëz kanë mbetur viktima, disa raportime thonë se aksidenti “i paimagjinueshëm” mund të ketë vrarë mbi 100 rezidentë.

Ndërtimi i bllokut të apartamenteve “nuk ishte kryer siç duhej dhe zyrtarët mbikqyrën dhe kontrolluan atë në mënyrë të papërgjegjshme”, tha agjencia e lajmeve.

Korrespondentët thonë se është jashtëzakonisht e rralë për Korenë e Veriut që të pranojë lajmet negative, ndërkohë që raporti i KCNA-së përfshin gjithashtu edhe një apologji po aq të rrallë nga zyrtarët më të lartë të vendit.

Një përpjekje “intensive” emergjente për shpëtimi është zhvilluar pas ngjarjes për t’i ardhur në ndihmë të mbijetuarve dhe për të trajtuar të plagosurit, thuhej në raportin e agjencisë.

KCNA nuk dha shifra të detajuara të viktimave, apo të shpjegonte shkaqet e shembjes, por tha se ngjarja i kishte lënë qytetarët e Penianit “thellësisht të shokuar”.

Një zyrtar koreano-jugor, duke folur për agjencinë e lajmeve AP në kushtet e anonimatit, tha se ndërtesa e shembur ishte një kompleks apartamentesh 23-katësh. Ndërsa një tjetër zyrtar i paidentifikuar tha për “Reuters” se ndërtesa mendohej të kishte rreth 92 apartamente.

“Qindra vetë prezumohen të vdekur, duke presupozuar se çdo familje ka mesatarisht 4 anëtarë”, tha ai.

Një zyrtar i lartë i Penianit, i cituar nga agjencia KCNA, ka thënë se lideri koreano-verior, Kim Jong-un, “ka vuajtur gjithë natën prej dhimbjes së thellë”, pasi mori vesh mbi shembjen.

Top Channel