Indi, zgjidhet kryeministri i ri

17/05/2014 00:00

Kryeministri indian i zgjedhur, Narendra Modi u prit si hero në selinë e partisë së tij, BJP, në Nju Delhi pasi siguroi fitoren më vendimtare në këto tre dekadat e fundit.

“Dua të përpulem përpara jush, t’i jap falenderimit e mia popullit të Indisë”, tha Modi. Ai përmendi median duke thënë se “krijoi vetëdijën mes votuesve” dhe “festivalin e madh të demokracisë në Indi”.

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe kryeministri britanik David Cameroon përgëzuan Modin për fitoren dhe e ftuan në Uashington dhe Londër. Kryeministri i Pakistanit, Navaz Sharif e cilësoi fitoren e BJP-së si mbresëlënëse.

Partia e Kongresit, që ka dominuar politikën indiane prej pavarësisë, parashikohet të marrë vetëm 44 deputetë. Presidentja e kësaj partie, Sonia Gandi tha: “Ne respektojmë me përulje verdiktin e popullit”.

Manmohan Sing, që i përket partisë së Kongresit, paraqiti dorëheqjen. “Secili prej nesh duhet të respektojë gjykimin tuaj. Zgjedhjet e përfunduara thelluan themelet e demokracisë sonë”, tha kryeministri në ikje.

Duke iu referuar rezultateve, BJP fitoi shumicën në Parlament me 272 deputetë, pra do të formojë një qeveri pa partnerë. Së bashku me aleatët mund të arrijë në 330 deputetë nga 543.

Pavarësisht kësaj fitoreje, shumë indianë janë shumë të shqetësuar për Modin, veçanërisht për ngjarjet e e vitit 2002 në Gujarat, ku pas trazirave mes grupeve kundërshtare humbën jetën 1.000 persona. Modi ka hedhur poshtë kritikat dhe ndaj tij nuk është ngritur kurrë ndonjë akuzë.

Top Channel