Tragjedia në minierën turke

16/05/2014 00:00

Pronarët e minierës turke të kthyer në skenën e fatkeqësisë më të madhe të kësaj natyre në vend me vdekjen e 284 personave, mohojnë akuzat për neglizhencë e madje e kanë mbrojtur reagimin e tyre pas tragjedisë së të martës.

Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e Soma Holding theksuan se shpëtimi i jetëve ka qenë prioriteti i tyre absolut dhe përmendën një grumbullim të pashpjegueshëm nxehtësie në galeri si shkakun e mundshëm të shembjes.

Nga sa raporton media turke, brenda në minierë duhet të jenë ende edhe 18 punëtorë, por nuk dihet nëse janë gjallë.

Akin Celik, menaxher i minierës, shprehet: “Nuk e kam idenë sesi ndodhi ky aksident, por mund t`ju siguroj se nuk ka qenë neglizhenca jonë. Të gjithë duam përgjigje për atë që ndodhi. Nuk jemi përballur më parë me të tilla rrethana. Kemi tre ditë pa gjumë sepse gjëja e parë që u përpoqëm të bënim ishte të shpëtonin jetë njerëzish.”
 
Për drejtorin e përgjithshëm Ramazan Dogru, raportet fillestare se zjarrin e shkaktoi një difekt elektrik i transformatorit janë të gabuara: “Shembjen e shkaktoi mbinxehja dhe kjo bëri që zjarri të përhapej shumë shpejt. Arsyet e asaj nxehtësie nuk i dimë ende.”
 
Më herët, kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan shkaktoi zemërim në Soma kur i quajti aksidentet në punë si gjëra që ndodhin. Pas kësaj, shefit të ekzekutivit iu  desh të strehohej në një dyqan ushqimesh edhe pse u zotua se tragjedia do të hetohet terësisht.  

Minierat e qymyrit në Turqi njihen për rrezikshmërinë e tyre duke bërë që disa ligjvënës të kërkojnë hetime lidhur me kushtet e këqia të sigurisë.

Top Channel