Komuniteti hebre në Shqipëri

16/05/2014 00:00

Rabini për Ballkanin dhe Shqipërinë, Yoel Kaplan, shoqëruar nga pjesëtari i komunitetit shqiptaro-hebre, Sokol Pirra, zhvilloi një vizitë në ambientet e Top Channel, ku takoi presidenten e Top Medias, Vjollca Hoxha, në shenjë falënderimi për hapësirën që Top Channel i ka dedikuar, në programacionin e tij, historisë së hebrenjve.

Me këtë rast, ai bëri të ditur edhe ndihmesën që po jep dhe do të vazhdojë të japë, sipas tij, komunitetit hebre në vend dhe jo vetëm atij.

“Puna ime kryesore është të ndihmoj njerëz nga të gjitha komunitetet. Nuk mendoj kurrë se duke qenë Rabin hebre, duhet të kujdesem vetëm për hebrenjtë. Unë jam një lider hebre, por zemra ime është e hapur për këdo, si shembulli i babait të Abrahamit, që hapi derën e tij për të gjithë. Kjo është mënyra ime e shërbimit dhe mendoj se është e duhura për të rregulluar gjërat. Projekti madhor që kemi tani, është ai i kujdesit shëndetësor. E quajmë qendra “Besa”. Të mendosh, besa do të thotë të mënjanosh veten për tjetrin, për atë që ka nevojë për ndihmën tënde. Kemi ndihmuar një zonjë me kancer në këmbë. E çuam në Izrael dhe, me ndihmën e teknologjisë dhe doktorëve, i shpëtuam jetën dhe këmbën asaj. Pra, ndihmojmë njerëz dhe, gjithashtu, mendoj se po ndihmojmë Shqipërinë me biznese dhe turizëm. Njerëzit kërkojnë këshillen time si Rabin, ku mund të investojnë… U them të vijnë në Shqipëri, sepse ofron mundësi. Do t’iu mirëpresë qeveria dhe njerëzit. Dua të sjell edhe mësues, ekspertë të teknologjisë së lartë, nga Izraeli për të rinjtë, sepse ata janë shumë të lidhur me të”, tha Yoel Kaplan, Rabin për Ballkanin dhe Shqipërinë.

Një bashkëpunim shumë të mirë, Rabini për Ballkanin dhe Shqipërinë vlerësoi edhe atë me komunitetet e tjera fetare.

“Isha në shtëpinë e Presidentit për t’i uruar mirëseardhjen në Shqipëri Lord Rochild dhe isha i ulur në të njëjtën tavolinë me liderin ortodoks, liderin musliman, liderin bektashian, dhe kjo për mua ishte shumë e rëndësishme. Baba Mondi për mua është një lider i madh, ashtu si dhe të tjerët, dhe dëshiroj shumë që lidhja me ta të jetë edhe më e fortë. Mendoj se, të rregullosh marrëdhëniet me liderët e komuniteteve fetare është shumë e rëndësishme. Jo për mua, por për vendin. Gjithashtu, është edhe një dritë e mirë, që Shqipëria nxjerr jashtë saj. Është një shembull shumë i mirë, ai i bashkëjetesës fetare këtu. Kjo vlen dhe për të rinjtë që na shikojnë ne, sepse, në thelb, jemi qenie njerëzore dhe kemi të gjithë një zemër dhe një Zot të vetëm, ndaj duhet të qëndrojmë së bashku”, shtoi më tej Rabin Yoel Kaplan.

Sa i përket komunitetit shqiptaro-hebre, për Rabinin Yoel Kaplan është një komunitet i vogël, por i bashkuar dhe aktiv.

Top Channel