Kenia, mbi 10 viktima nga dy shpërthime

16/05/2014 00:00

Dy shpërthime kanë goditur zonën e tregut të Gikomba-s, në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, duke lënë të paktën 10 viktima dhe duke plagosur dhjetra të tjerë, bëjnë të ditur zyrtarët.

Ende nuk është bërë e ditur se çfarë e shkaktoi shpërthimin, por Kenia është tronditur nga një seri sulmesh në vitet e fundit. ta kanë akuzuar gjithnjë militantët e grupit islamik al-Shabab, nga shteti fqinj Somali.

Qindra turistë britanikë janë evakuuar nga rezorti bregdetar i Mombasa-s, pas paralajmërimeve për një sulm. Kompanitë turistike britanike kanë pezulluar fluturimet për në Mombasa, qyteti i dytë më i madh i Kenias.

Qendra Kombëtare Operacionale për Fatkeqësitë ka bërë të ditur se shpërthimi i parë ndodhi në një minibus, ndërsa i dyti në një zonë të hapur, në tregun e Gikomba-s.

Zyrtarë të policisë thanë për agjencinë e lajmeve Reuters, se dyshojnë që shpërthimet të jenë shkaktuar nga një pajisje shpërthimi e improvizuar. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë sende të ndryshme të hedhura tutje, ndërkohë që zjarrfikës dhe ndihma nga Kryqi i Kuq janë të pranishëm për t’i ofruar ndihmë të plagosurve.

Burime spitalore thanë për BBC se të paktën 70 persona janë plagosur. Presidenti kenian, Kenyatta, u angazhua se do të luftojë terrorizmin “djallëzor” pas këtyre sulmeve. “Të gjithë ne, anembanë botës, duhet të bashkohemi për të siguruar se jemi të aftë të luftojmë këtë lloj terrorizmi të veçantë”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Top Channel