Monika Shoshori Stafa – Të përkthesh fjalën apo shpirtin e gjuhës?
Të përkthesh formën gjuhësore, shenjën leksikore, apo traditën që kodifikohet brenda saj? A mundet tradita e tjetrit të lexojë traditën tënde, ashtu si gjuha e tjetrit lexon gjuhën tënde? Kjo është një pyetje thelbësore në epokën e ndërkulturorësisë (interculturalitet), për më tepër të përhapjes së shpejtë të dukurisë së dygjuhësisë (bilingualizmit). Kjo e dyta është aq e pushtetshme tashmë, sa mund të flitet për një metaligjërim, gjysmë shqip dhe gjysmë anglisht. Nuk është vetëm dukuri e gjuhëve të vogla. Filmi “Spanglisht” apo libri “Parlez vous franglais?” janë vetëm dy prej dëshmive të pushtetit të këtij ligjërimi, ku gjuha shfaqet vetëm në nivelin e komunikimit. Në fakt, gjuhët kanë hierarkinë e tyre. Një prej ligjeve që rregullon raportet ndërgjuhësore është ai i diskriminimit të gjuhës së shkollës prej gjuhës amtare. Por edhe gjuhët joamtare kanë hierarkinë e tyre: janë gjuhët e krijimtarisë, gjuhët e punës dhe gjuhët e komunikimit. Nëse me një gjuhë komunikimi provon të hysh në sferën e krijimtarisë, kjo do të ishte aventurë. Sepse në krijimtari ka të tjera kërkesa dhe tjetër shkallë ligjërimi. Të përkthesh fjalën do të thotë të përcjellësh informacion. Këtë tashmë e bën edhe një ordinator me fuqi të mesme. Por një “makinë e mençur” nuk do të arrijë kurrë të përkthejë ngjyresat e brendshme të një gjuhe. Një nga veprat më të njohura të shkrimtarit I. Kadare, romani “Prilli i thyer”, është përkthyer në anglisht me titullin “April Broken”. Megjithëse i cilësuar si romani i “kultit shqiptar të nderit”, një prej atyre albanizmave që shumë dijetarëve të huaj u ka mjaftuar për të përveçuar botën tradicionale shqiptare, pothuajse në të gjitha gjuhët e huaja titulli i romanit “Prilli i thyer” nuk e ruan kuptimin e idiomës së ligjërimit etnozakonor burimor: prill i thyer, 17 prill, dita e fundme e “jetës në besë” të Gjorgut, dita e fundme e mbrapsht-numërimit (countdoën timer-it) të jetës së tij: prilli në të sosur, prilli në të mbaruar, prilli tashmë i thyer; ashtu siç do të ishin përkthyer dhe idiomat e tjera me kuptim të mbyllur të shqipes, që formojnë një gjedhe të vetme: ditë e thyer, javë e thyer, stinë e thyer, dimër i thyer, acar i thyer, hënë e thyer, mot i thyer, moshë e thyer. Prill përtej gjysmës.
Pyetja nëse duhet përkthyer fjala si shenjë komunikimi apo gjuha si bartëse e traditës, mund t’i dalë njeriut shumë shpesh, sidomos duke këshilluar disa përkthime prej shqipes në anglisht, në formën e librave të botuar. Në njërin prej tyre, titulli i një prej pikturave më të njohura të Kol Idromenos “Motra Tone”, që në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës në shqip do të thotë “Murgesha Antone”, ishte dhënë në anglisht “Our Sister”. Mund të merret me mend se sa larg i qëndron idiomës origjinale forma e dhënë në anglisht. Në këtë rast punën e ka ngatërruar forma përkëdhelëse e një emri ungjillor. Po pikërisht atje ku gjuha ka shpirt, atje përkthimi nuk mjafton, duhet doemos edhe tradita: në frazeologji, në fjalët e urta, në përshëndetjet, në urimet, në mallkimet, në rrënimet dhe bekimet, në fjalët e ngushëllimit dhe të të kremteve tradicionale. Për të paraqitur se sa e domosdoshme është tradita për përkthimin unë kam zgjedhur një libër me subjekt shqiptar, shkruar nga një eksploratore amerikane pas një udhëtimi të vështirë në viset veriore të Shqipërisë. Libri quhet “The Peak of Shala” dhe mban emrin e Rose Ëilder Lane. Kam zgjedhur këtë libër, sepse tradita implikon përkthimin dhe sepse vetë përkthimi është i shumëfishtë: nga shqipja nëndialektore veriore me karakter etnografik në anglishten standarde, nga anglishtja në shqip në tri përkthime të ndryshme: dy në Tiranë dhe një në Kosovë.
Në të tri përkthimet prej anglishtes në shqip të librit “The Peak of Shala”), përshëndetja tradicionale e shqiptarëve të veriut “A ke mujt? Si ke mujt?”, që ka kuptimin “A je i mujshëm, a je shëndoshë, a je mirë, domethënë a nuk je i pamundur, i sëmurë?”, që është një prej formulave të ngurta gjuhësore, fillimisht ishte kthyer në anglisht në formën “Hoë could You” dhe pastaj ishte kthyer sërish në shqip në formën “Si keni mundur të ngjiteni deri këtu?” Pikërisht kjo “tradhti” e madhe e përkthimit, kjo ikje e kuptimit të fjalës prej traditës, më nxiti të shtroj këtë çështje. Por le ta shohim se çfarë ka ndodhur realisht në përkthimin gjuhësor, që është i saktë, por pa shpirtin e gjuhës vetë, pa psikologjinë e saj: Kalimi nga goja e mbledhësit në gjuhën e tij amtare dhe pastaj te riinterpretimi shqip ka sjellë shpesh largime aq të mëdha sa të humbë vërtetësia e burimit. Ja se si shmangen në këtë proces edhe sintagmat më të thjeshta, duke iu referuar librit të Rose Lane, domethënë ato që zakonisht quhen idioma me kuptim të mbyllur, shprehje të ngurtësuara, urime, mallkime, rënkime, përshëndetje; formula të gatshme të ligjërimit etnografik: 1. Shkalla e parë: – fjalia burimore shqip: “A keni mujt?!”, “Si keni mujt?” (përshëndetje e malësorëve të Shalës për autoren e librit) – idiomë me kuptim të mbyllur, përmbajtja e së cilës vjen nga “i mujshëm” – “mirë me shëndet”, sikurse ruhet dhe në të folmet jugore te “jam i pamundur”, me kuptimin “A jeni mirë me shëndet, a jeni të mujshëm apo të pamujshëm?” Ismail Kadare, në esenë “Autobiografia e popullit në vargje”, Tiranë 1980, shprehet se edhe emri i Mujit, kryekreshnikut të eposit shqiptar, duhet të ketë lidhje burimore me “i mujshëm”, “i fuqishëm”, dhe më tek edhe “mujs”, “mundës”, “ai që i mund/mposht të gjithë”. 2. Përkthimi i mundshëm anglisht (neutral, pa ngjyresat që fjala ka prej traditës): “Hoë are you!” (idioma më e afërt që mund t’i përgjigjej në përkthimin anglisht). 3. Si mund të jetë përkthyer anglisht: “Hoë could you?!” (me sa duket përkthimi i fjalëpërfjaltë që i ka bërë interpreti idiomës vendase, duke ngatërruar dy kuptimet e paskajuara të foljes “me mujtë”, “me pasë mundësi” dhe “me qenë i fortë”. 4. Përkthimi shqip i kohëve të sotme: “Si keni mundur të vini deri këtu?” (rikthimi shqip i shprehjes fillestare “A keni mujt?!” prej anglishtes): Njëri version: “E si keni mundur?” duke nënkuptuar: “Si keni mundur të arrini deri këtu?”. Versioni i dytë: “Si keni mundë” – që do të thotë: “Si mundët të arrini këtu”. Ikja prej kuptimit burimor ka filluar qysh në përkthimin e parë. Malësori i Shalës nuk ka pasur aspak në mendje të pyesë miqtë e largët se si ia kanë dalë të ngjiten aq lart, por thjesht të pyesin për shëndetin dhe gjendjen e tyre. Mund të merret me mend se sa larg prej burimit shkojnë objektivisht tekstet folklorike të mbledhura prej të huajsh dhe të interpretuara e riinterpretuara pastaj nga njëra gjuhë në tjetrën deri në rikthimin shqip. Përkthimi i fjalës, pa psikologjinë e gjuhës, pa traditën e përdorimit të saj, pa mendësinë që përmban, do të thotë pamundësim i interkulturalitetit. Ekziston veprimi i ligjit të diskriminimit të gjuhës së tjetrit prej gjuhës amtare. Ekziston gjithashtu dhe përhapja e shpejtë e një anglishteje teknokratike, të reduktuar në një minimum fjalësh, kryesisht të përdorimit kompjuterik. Te gjuha rron shpirti i popullit dhe kjo është arsyeja që ne shpesh e dëgjojmë shprehjen “Ky tekst duhet anglifikuar” apo “ky tekst duhet shqipëruar”, sepse vërtet fjalët janë të gjitha aty, por njëra gjuhë ka lexuar tjetrën, jo njëra traditë tjetrën. Interkulturaliteti nënkupton që gjuha dhe tradita, përkthimi i fjalës dhe i shpirtit të saj, traduction and tradition, të jenë bashkë dhe condition sine qua non për njëri-tjetrin.
Top Channel