Top Story, trafiku i drogës dhe debati politik

15/05/2014 00:00

Çështja e trafikut të drogës, që është kthyer në “pataten e nxehtë” të debateve politike ditore, ka qenë në qendër këtë të enjte në emisionin “Top Story” në Top Channel.

Moderatori Sokol Balla ka menaxhuar një panel të përbërë nga politikanë dhe gazetarë, të cilët kanë shprehur këndvështrimet e tyre lidhur me narkotrafikun dhe rastin e avionit të Divjakës.

Fillimisht në debat janë përfshirë numri dy i Ministrisë së Transporteve Ylli Manjani dhe koordinatorja e Partisë Demokratike në opozitë, Grida Duma.

Në fjalën e tij, zoti Manjani ka vlerësuar se në rastin e Divjakës shteti ka funksionuar dhe i ka cilësuar si forma ngacmimesh qëndrimet e opozitës.

“Shteti ka funksionuar. Kur them “shteti”, nuk i referohem pushtetit. Sa herë shteti funksionon, politika ndërhyn”, ka deklaruar Manjani.

Rastin e Divjakës, eksponenti i LSI e ka cilësuar si një rast të izoluar, pasi sipas tij hapësira ajrore e Shqipërisë është tërësisht e monitoruar.

“Hapësira ajrore e Shqipërisë është gjëja më e monitoruar sot për sot. Ai avion kishte hyrë për herë të parë dhe të fundit në vendin tonë”, ka thënë Manjani. Më tej, duke shprehur opinionin personal, Manjani ka kundërshtuar opsionin e legalizimit të hashashit në vend.

“Drogën e Lazaratit nuk e shoh në drejtimin e legalizimit. Shqipëria ka nevojë të vendosë kulturën e funksionimit të ligjit. Pasi të jetë vendosur ligji në ato zona ku mungon, atëherë mbase mund të flitet për legalizim”, ka shtuar Manjani.

Nga ana tjetër, koordinatorja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka theksuar se akuzat e ngritura nga opozita në Parlament, të parodizuara nga mazhoranca, u vërtetuan ditën e diel. Duma i ka cilësuar si absurde apelet e mazhorancës për të duartrokitur strukturat shtetërore, duke vënë në dukje se droga e avionit të rënë në Divjakë u sekuestrua rastësisht.

“Akuza jonë u vërtetua ditën e diel. Për çfarë duhet të duartrokasim ne? Të duartrokasim se diçka i plasi në dorë kësaj qeverie që është e lidhur me krimin? Jo, ishte opozita që u duartrokit nga qytetarët”, është shprehur Duma.

Sipas saj, deklaratat e kolegëve të pozitës se sot shteti është i ndarë nga pushteti nuk qëndrojnë dhe për këtë arsye opozita ka zgjedhur rrugën e protestave.

“Po të ishte klasa politike e ndarë, pra shteti nga pushteti, atëherë do ishte ndryshe. Por ne do zgjedhim protestën, pasi pushteti ka uzurpuar të gjitha institucionet”, ka nënvizuar Duma.

Më tej ajo ka sqaruar akuzat e PD, duke nënvizuar se nuk u ngritën ndaj ushtrisë por për keqpërdorimin e infrastrukturës së saj dhe ka kritikuar ministren e Mbrojtjes që nuk pranoi të paraqitej në komisionin hetimor parlamentar.

“Mazhoranca bënte sikur nuk e shikonte situatën. Opozita e ka me çështjen e trafikut dhe këtu nuk qëndron dëshira jonë për të marrë pushtetin, por detyra jonë për ta bërë këtë qeveri të përgjegjshme”, ka pohuar Duam.

“Për më tepër, kur hapësira ajrore është monitoruar, përse vendosni blloqe betoni? Opozita ka pasur informacion se mazhoranca ka pasur informacion. Ne iu thamë: ne kemi dijeni që ju keni dijeni për këto lëvizje”, ka shtuar Duma.

Ndërsa gazetari i njohur i kronikës së zezë, Artan Hoxha ka deklaruar se thelbi i problemit nuk qëndron tek rasti i avionit që u rrëzua në Divjakë, por tek kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve që është një emergjencë kombëtare.

“Problemi i vërtetë është emergjenca kombëtare e narkotrafikut. nëse ky problem shihet si çështje politike, atëherë ne nuk merremi me thelbin e çështjes”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, situata e narkotrafikut është shumë alarmante dhe është neglizhuar nga të gjitha fraksionet politike kur kanë qenë në pushtet.

“Ne jemi kthyer në një depozitë narkotikësh. Jemi prodhues dhe veç hashashit kemi vajin e çokollatës. E përpunojmë dhe nuk e kapim. Në dy raste që e kapëm, transportuesit ishin të Policisë së Shtetit”, ka nënvizuar Hoxha.

Gazetari i njohur ka shtuar më tej se, konfiskimet e hashashit nga policia janë një lajm i mirë, por që nuk mjaftojnë pasi duhet hartuar një strategji konkrete kundër trafikut.

“Lajmi më i mirë për shqiptarët sot dhe më i keqi për kultivuesit ishte se komisariati i Vlorës, që në pikë të mëngjesit kapi 1.7 ton kanabis të destinuar për tregun evropian. Sot 10 milionë euro i janë hequr botës së krimit. Qeveria dhe opozita duhet të hartojnë një strategji të përbashkët për të luftuar këtë fenomen”, ka shtuar Hoxha.

Gjatë debatit të gjatë për cështjen e drogës mes mazhorancës dhe opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha në një moment akuzoi qeverinë se po e përdor Lazaratin për të mbuluar gjithë drogën e Shqipërisë dhe atë që vërshon nga gjithë Ballkani në vendin tonë, që sipas opozitës, po shfrytëzohet si vend tranzit.

Ndërkohë jashtë sallës së Kuvendit, mes drejtuesve të Partisë Demokratike ishte edhe Dasho Aliko, kryetari i Komunës së Lazaratit, i shndërruar në simbol të mbjelljes dhe kultivimit të hashashit në vendin tonë prej vitesh.

Koordinatorja e Partisë Demokratike, Grida Duma vlerësoi prezencën e kreut të Komunës Lazarat, ndërsa për atë që ajo e quajti situatë alarmante e trafikut në Shqipëri fajësoi emërimet e reja në Policinë e Shtetit dhe struktruat e tjera ligjzbatuese.

“Kemi deklaruar së paku 40 emërime në Policinë e Shtetit me shkelje. Kemi legjitimimin e krimit në krye të policisë dhe ai që qeveris vendin duhet të marrë përgjegjësitë dhe koston e veprimeve që bën. Kurrsesi gabimet e së shkuarës nuk mund të legjitimojnë ato që kanë ndodhur sot. Ai që na qeverisë duhet të japë llogari dhe të mbajë përgjegjësi”, tha Duma.

Por për gazetarin Aleksandër Çipa prezenca e Alikos në protestën e PD ka shembur moralin e protestës së saj sepse ndër vite është drejtues i një komune që ka kultivuar historikisht lëndë narkotike. Gazetari tjetër, Arion Sulo deklaroi se nga kryeministri pritej një deklaratë ku të njoftohej aksioni kundër trafikut dhe jo ajo që u dëgjua si dhe të pranonte që është administruar keq rasti i Divjakës.

Gazetari Artan Hoxha tha se i duhej dhënë më shumë kohë qeverisë dhe strukturave të reja për të provuar nëse e kanë seriozisht luftën kundër trafikut. “Protesta duhej bërë në shtator për të patur motiv për të protestuar, atëherë kur bima është rritur dhe del në treg, jo tani”.

Përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani u ndal tek debati politik, që sipas tij ashpërsohet nga Sali Berisha.

“Ligjërimi politik këtu është i ashpër për shkak të Berishës, që akuzon me dhe pa të drejtë dhe ekstremizon politikën. Opozita thotë që po shkatërrohet Policia, sigurisht policinë politike do ta shkatërrojmë sepse ata drejtues policie dihet se cfarë kanë qenë”, tha ai.

Duke rimarrë fjalën, koordinatorja demokrate, Grida Duma u rikthye përgjegjësive të Kryeministrit duke analizuar deklaratat e tij në Kuvend.

“Një kryeministër nuk të ofron prokurorinë, një kryeministër ofron një platformë politike sepse opozita flet politikisht. Dhe cfarë po bën kryeministri sot? Po kalon topin tek prokuroria. Kryeministrit edhe kur i plasi në dorë nuk mori përsipër asnjë lloj përgjegjësie. Këta zotërinj thonë që do heqim këtë policinë politike dhe do vëmë këtë policinë e inkriminuar me 40 veta me precedentë penalë”, deklaroi ajo.

Analisti Shpëtim Nazarko deklaroi se do të duhet ende kohë për të vlerësuar punën e qeverisë, ndërsa tha se në disa fusha hapat fillestarë janë në rrugën e duhur. Për këtë ai përmendi reformën territoriale, që sipas tij është urgjente, rinovimin e Policisë së Shtetit me elementë të rinj dhe të arsimuar, gjithashtu e domosdoshme, sipas tij.

Por gazetari Arion Sulo, referuar një deklarate të Luan Ramës një ditë më parë, tha se edhe vetë LSI i ka kërkuar qeverisë që të rishikojë prioritetet e saj dhe të vendosë në krye luftën kundër trafikut dhe krimit në përgjithësi.

Artan Hoxha shtoi se policia ka nevojë për logjistikë dhe mbështetje materiale pasi ndodhet në një luftë krejtësisht të pabarabartë me krimin dhe trafikun e drogës, dhe si shembull për këtë solli rastin e Divjakës.

“Ka një simbol të kësaj historisë me avion, kemi avionin e ndaluar dhe dy policë që në fillim u thanë që ishin trafikantë, por në fakt ishin policë. Kemi inspektorin e nderuar të krimeve të Divjakës me një Golf 2 dhe një trafikant që zbret me një avion 700-800 mijë euro. Cfarë mundësish ka Inspektori i Krimeve që të fitojë këtë betejë me një Golf 2? Policia e Shtetit bëri një përpjekje për të goditur trafikantët në Shosh të Shkodrës. Pati gjashtë orë luftime dhe policia u tërhoq, sepse ata atje kishin mitroloz. E njëjta gjë ndodhi edhe në Burrel 3 ditë më vonë. Nuk kemi më kohë për të humbur, ose do të përballemi me trafikantët, ose ti falenderojmë ata dhe të zgjedhurit vendorë me paratë e drogës që të na marrin kohën televizive duke na thënë që po punojnë për njerëzit”, deklaroi ai.

Aleksandër Çipa shtoi: Debati është një debat që nuk i përket vetëm Shqipërisë dhe rasti i avionit e lidh me vendin destinacion. Deri më sot nuk ka asnjë fakt të tillë nga shërbimet e huaja. Rasti i avionit në Divjakë ka rikthyer kampionin deri ku shkon ndërgjegjja institucionale në këtë vend”.

Në fund të fjalës së saj, përfaqësuesja e PD, Grida Duma deklaroi se opozita nuk kërkon kredite për pushtet me protestën e saj, por në mënyrë parimore kërkohet dorëheqja e kryeministrit për mungesën e përgjegjësisë.

Top Channel