Franca, Nasri mendon tërheqjen nga kombëtarja

15/05/2014 00:00

Samir Nasri po mendon seriozisht për tërheqjen nga kombëtarja franceze. Futbollisti 26-vjeçar i Manchester City-t është përjashtuar nga Didier Deschamps, nga lista e futbollistëve që do të shkojnë në Botëror, gjë që ka shkaktuar jo pak befasi në media.

Vetë Nasri e ka pranuar një gjë të tillë, në një intervistë për Sky Sports News. “Është pak e vështirë që ta pranosh këtë përjashtim, – tha Nasri. – Kam nevojë për pak kohë, që të mos mendoj për skuadrën kombëtare, pasi është hera e dytë që nuk më jepet mundësia të luaj në një kampionat Botëror futbolli. Duhet të mendohem gjatë pushimeve për të ardhmen time në përfaqësuese, sepse për një lojtar është shumë e vështirë të mungojë në 2 edicione të Kupës së Botës. Megjithatë, duhet ta pranoj, e dija që nuk do të grumbullohesha në skuadër. Ishte diçka shokuese, por unë isha i përgatitur nga ana psikologjike”, tha ai.

Nuk është hera e parë, që Nasri nuk bëhet pjesë e skuadrës përfaqësuese franceze, në një eveniment të rëndësishëm siç është Kupa e Botës. Në vitin 2010, ishte Raymond Domeneck, që i mohoi futbollistit pjesëmarrjen në Botërorin e Afrikës së Jugut.

Top Channel