Meksikë, plan i ri për sigurinë

14/05/2014 00:00

Qeveria në Meksikë është zotuar se do të vendosë më shumë forca sigurie dhe do të mbështesë shërbimet e inteligjencës në Tamaulipas, një nga shtetet më të rrezikshme të vendit.

Ministri i Brendshëm Miguel Angel Osorio pranoi se qeveria nuk ka bërë sa duhet për t’u përballur me çështjen e sigurisë në shtetin veri-lindor. Por ai premtoi se “një fazë e re” kundër karteleve të plotfuqishme të drogës do të vendosë paqen atje.

Javën e kaluar, shefi i agjencisë meksikane të inteligjencës, Salvador Haro Munoz u vra atje. Makina e tij ra në një pritë të ngritur nga persona të armatosur në kryeqytetin e shtetit, Siudad Viktoria.

Zoti Osorio njoftoi se shteti do të ndahet në katër rajone, secila me një oficer të ushtrisë ose marinës në krye për të implementuar planin qeveritar të sigurisë.

“Ne do të përforcojmë mbikëqyrjen në porte, aeroporte, dogana dhe në pikat kufitare, si dhe do të kontrollojmë më rreptësisht rrugët tokësore”, deklaroi ministri në një konferencë shtypi.

Zoti Osorio tha se forcat e sigurisë do të patrullojnë shtetin 24 orë në 24 në çdo ditë të javës, kryesisht në zonat urbane dhe do të kryejnë mbikëqyrjen e forcave policore lokale për të çrrënjosur korrupsionin.

Nga ana tjetër, ai pranoi se disa suksese “domethënëse” të arritura së fundmi nga qeveria në luftën kundër drogës nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Ditën e diel, forcat e sigurisë njoftuan se një nga themeluesit e kartelit Zetas, që kontrollon pjesën më të madhe të Tamaulipas, Galindo Mellado Cruz u vra në një shkëmbim zjarri.

Top Channel