Rusia: Respektojmë referendumin në Ukrainë

13/05/2014 00:00

Vetëm pak ditë më parë, Vladimir Putin i kërkonte kundërshtarëve të Kievit në Lindje të Ukrainës të shtynin referendumet e vetëqeverisjes. Të hënën, Kremlini i përshkroi votimet në Donetsk dhe Luhansk si “ vullnet i popullit” dhe e bëri të qartë se Rusia do të respektojë rezultatet.

Për të mos përmendur pastaj mungesën e vëzhguesve ndërkombëtare gjatë procesit të votimit, problemet me listat e votuesve dhe pështjellimin e lartë që shkaktuan fletëvotimet në vetvete. Deklarata e Putinit në fakt nuk e vuri asnjëherë në pikëpyetje simpatinë e Moskës për grupet pro-ruse në Lindje të vendit fqinj. Mjafton të shohësh mbulimin që televizionet vendase i bëjnë krizës ukrainase, thonë mediat e huaja dhe do të kuptosh rëndësinë që i kushtohet.

Mbështetja e Kremlinit i dërgon kundërshtarëve të tij një mesazh të qarte: autoritetet ukrainase mund t’i etiketojnë vërtet referendumet “një farse pa asnjë lloj vlere ligjore”, dhe politikanët e Perëndimit mund të këmbëngulin se besueshmëria e votimit ishte “zero”, por Rusia vazhdon t’i përkrahë ata që kërkojnë autonomi më të madhe apo edhe pavarësi nga Kievi.  

Po çfarë do të bëjë më tej Vladimir Putini? Cili është qëllimi i tij? Sipas të përditëshmes ruse “Vedomosti”, presidenti rus i mban rivalët në një gjendje tensioni të vazhdueshëm duke i goditur kur dhe ku vendos ai vetë. Putin, shkruan “Vedomosti” tregon fleksibilitet dhe kur i duket e nevojshme, tregon edhe dhëmbët. Megjithatë në rastin e Ukrainës duket se nuk ka një strategji të përcaktuar, por reagon në varësi të rrjedhës që marrin ngjarjet ditë pas dite.

Top Channel