Juve, lamtumira e Conte-s më pranë

13/05/2014 00:00

E ardhmja e Conte-s te Juventus duket gjithnjë e më larg. Divorci, pas suksesit të tretë radhazi dhe rekordeve me bardhezinjtë, duket se mund të shmanget vetëm nga ndonjë mrekulli, në mënyrë që ndeshja e fundjavës me Cagliari-n të mos jetë e fundit…

Agnelli dhe Marotta kanë mbetur të shokuar nga fjalët e dëgjuara prej Conte-s në fund të sfidës me Romën. Mbeten ende në pritje drejtuesit, por Antonio-s duket se i ka humbur durimi. Atij nuk i interesojnë rinovimi i kontratës, apo rritja e pagës, ka kërkuar diçka tjetër, të cilën nuk e ka marrë deri më tani dhe është i bindur se nuk mund ta marrë edhe në të ardhmen e afërt.

Drejtuesit bardhezi janë takuar mëngjesin e së martës, në selinë e tyre në Torino, për të gjetur një zgjidhje efektive, ndër të cilët presidenti Agnelli, drejtori i përgjithshëm Marotta, Paratici dhe Maurizio Lombardo, të ulur të gjithë në një tavolinë të rrumbullakët për të vënë pikat mbi “i” në lidhje me situatën.

Conte kishte kërkuar për sezonin e ardhshëm përforcime, madje merkato të fuqishme, dhe një plan zbatimi 3-vjeçar, pasi me kontigjentin aktual ai deklaroi se nuk mund ta fitojë dot Champions-in e shumëkërkuar prej drejtuesve. Por, financat duket se nuk mund t’ia plotësojnë dëshirën.

Plani B, i diskutuar me fjalë disa ditë më parë, tashmë është bërë i nevojshëm. Montella është emri që i pëlqen të gjithëve, por ka edhe hipoteza të tjera, ku përfshihen Allegri, Spalletti, Mihajlovic dhe Klopp. Megjithatë, fillimisht do të synohet bindja e Conte-s, edhe pse vështirë të arrihet, pasi ky i fundit ndihet i braktisur, i pambrojtur dhe i përballur me heshtjen e drejtuesve.

Diskutimet do të vazhdojnë, edhe për faktin se drejtuesit duan ta zgjidhin çështjen përpara sfidës së fundjavës, ndërsa për Conte-n duket se lamtumira nuk ka qenë kurrë më pranë se tani.

Top Channel