Pjesëtarë të Gardës Kombëtare ukrainase hapën zjarr, një ditë më parë, mbi turmën e mbledhur para Bashkisë së qytetit të vogël lindor Krasnoarmeisk, duke shkaktuar viktima në njerëz sipas dëshmitarëve okularë.
Incident ky që, bashkë me episodet e ngjashme të dhunës në rajonet rusisht-folëse, ka shtuar zemërimin ndaj Kievit edhe në mesin e atyre, që deri vonë nuk e kishin braktisur tërësisht idenë e Ukrainës së bashkuar.
Ngjarja ndodhi pak pas votimeve për referendumin për shkëputje, i etiketuar “farsë kriminale” nga qeveria ukrainase. Në fakt, ekspertë të shumtë ndërkombëtarë pajtohen me idenë se një nisme të tillë i mungon legjitimiteti demokratik.
Votimi ishte në kundërshtim me Kushtetutën e vendit; organizatorët janë separatistë militantë, që sulmuan ndërtesat e administratës dhe stacionet policore; askush nuk i zgjodhi këta njerëz si drejtues, por ata e morën pushtetin me armë, e kjo është një nga arsyet që i bën referendumet të mos kenë besueshmëri e bazë demokratike.
Vëzhguesit e pavarur nuk ishin në gjendje të kontrollonin rrjedhën e votimeve dhe rezultatin e tyre. Askush nuk e di saktësisht se sa vetë votuan në të vërtetë. Fletët e votimit mund të jenë falsifikuar dhe një person mund të ketë hedhur disa të tilla në kuti.
Por, për analistin Bernd Johann, ekziston rreziku i një reaksioni zinxhir, e pikërisht kësaj duhet t’i frikësohet më shumë Kievi zyrtar. “Separatistët nuk do të ndalen këtu, – tha ai për “Deutsche Ëelle”. – Ata nuk presin njohje ndërkombëtare për veprimet e tyre”.
Referendumet ishin kryesisht manovra populiste dhe qëllimi është të shkaktohet një efekt domino, duke organizuar pseudovotime të ngjashme edhe në pjesët e tjera lindore dhe jugore të vendit.
Ekspertët bëjnë lidhjen edhe me përdorimin e termit “Rusia e re” nga Vladimir Putin, i cili iu referua një zone, që mund të shkojë nga Ukraina Lindore, Krimeja dhe Odesa, deri në Republikën e Moldavisë dhe në Rumani, e të shtrihet në këtë mënyrë deri në kufi me Bashkimin Europian.
Top Channel