Një punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror është arrestuar nga Policia e Tiranës nën akuzën e vjedhjes. I arrestuari është 22 vjeçari Orges Memishaj, i cili rezulton të jetë i dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale.
Bashkë me të në pranga ka rënë dhe Altin Lleshi. Sipas Drejtorit të Policisë së Tiranës, këta persona dyshohet se janë autorë të vjedhjes me dhunë të kryer më datë 9 Maj 2014 në bulevardin “Zhan D’Ark” rreth orës 22:45.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motor në pronësi të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe leja e qarkullimit.
Referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës të datës 29.09.2010, rezulton se Orges Memishaj, në atë kohë 18 vjeç, është dënuar me 60 ore pune me interes publik, pasi i kishte vjedhur portofolin një të moshuare me 6500 lekë.
Por ndërkaq, Orges Memishaj, pas përfundimit të dënimit dhe të studimeve është përfshirë në strukturat e Shërbimit Informativ Shtetëror, në kundërshtim me statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Në nenin 5, thuhet se një nga kërkesat për t’u pranuar në SHISH është të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi.
Top Channel