ZAMIRA ÇAVO – Atyre lexuesve që do indinjohen nga titulli, do t’ju
lutesha të ishin të duruar për ta lexuar deri në fund shkrimin, para se
të “zbraznin” arsenalin e fyerjeve. Enverin dhe Berishën nuk i kam
njohur personalisht, ndaj nuk bëj asnjë krahasim figurash. Por krahasim
politikash dhe problematikash ideologjike mund të bëjmë.
Pse po bëhet sot kaq shumë zhurmë për enverizmin? Ka 23 vjet që enverizmi është groposur si sistem. Jo më të rriturit që e jetuan atë kohë, por edhe të rinjtë e sotëm e konsiderojnë si “gogol” dhe periudhën, si ferrin tokësor. Kjo është sa e drejtë, aq edhe legjitime për ne të gjithë. Pra rrezik real nga enverizmi si sistem politik nuk ka. Por sikundër është e njohur në filozofinë popullore, kur hajduti është nën dyshim, ai bërtet më shumë se kushdo: “Kapeni hajdutin!” Në të gjithë këtë tymnajë të ringritur për të qindtën herë, në kohë të vështira të demokracisë, është me vend të rikujtojmë disa paralele mes enverizmit dhe berishizmit.
Nëse do të përjashtonim periudhën e Lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare, që gabimisht barazohet me enverizëm, mes enverizmit të diktaturës dhe berishizmit të demokracisë ka mjaft paralele dhe pse sistemet janë të ndryshme. Diktatura e proletariatit dhe metademokracia e këtyre 23 viteve edhe mund të krahasohen si sisteme, por kjo do të dojë një studim të thelluar. Ajo për të cilën dua të tërheq vëmendjen është: Enverizmi si mentalitet, praktikë dhe politikë, a është më i keq se berishizmi? Le të jemi më konkretë. E akuzojmë enverizmin si perandoria e së keqes. Plotësisht dakord. Por le të sjellim në vëmendjen e lexuesit disa nga momentet që e bëjnë enverizmin perandori të së keqes.
Së pari: Enverizmi mbyti lirinë me demagogji dhe dhunë. Në këndvështrimin e sotëm të lirisë askush nuk ishte i lirë, përveç diktatorit. Demokracia mbështetet në liri. Askush nuk mund të thotë se Berisha na dha lirinë, sepse lirinë e siguroi populli dhe rinia e asaj kohe. Berishizmi e lejoi lirinë deri në anarki, duke i krijuar kushte paligjshmërisë, mbështetësve personalë e duke gënjyer e mashtruar për 23 vjet me radhë një popull që ende është nën përgjumjen e vet intelektuale! Berishizmi spekuloi aq keq me lirinë sa realisht ne e kemi humbur atë në të vërtetë. Nuk të dënon më njeri me nenin 55, nëse flet kundër njëshit, por të lë pa punë, e në ndonjë rast të heq qafe, po qe se e kalon cakun. Enveri na mbushte mendjen se jemi populli më i lumtur në botë, ndërsa Berisha na mbushte mendjen se jemi vendi i parë në botë për kapërcimin e krizës, për zhvillim e të tjera broçkulla. Liria është frymëmarrja e demokracisë dhe si e tillë nuk ka lidhje me berishizmin. Ideologjia berishiste është ideologji antiliri. Së dyti: Enveri zhduku me mijëra qytetarë që e kundërshtuan sundimin e tij. Shqipëria u shndërrua në kohën e tij, në burgun e madh të vetvetes! Berishizmi “asgjësoi” politikisht të gjithë kundërshtarët e tij politikë dhe për interesa personale zhvilloi një politikë përçarëse, agresive, të dhunshme, që ka shkaktuar me mijëra të vrarë. ‘97-ta është një periudhë e skëterrtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohës berishiste. Enveri përqendroi në duart e tij të gjithë pushtetin. Drejtësia mbi të gjitha, i shërbeu vetëm pushtetit të tij! Kam dëgjuar që shpesh flitet se enverizmi bëri shtet. Jo krijoi iluzionin e shtetit që vepronte vetëm sipas idesë dhe qëllimeve të njëshit! Po Berisha a nuk ndoqi të njëjtat politika? A nuk e përqendroi ai të gjithë pushtetin në duart e veta dhe sot drejtësia mund të quhet me pak rezervë padrejtësi?! A mund të quhet shtet shteti ynë nën berishizëm? Shteti inekzistent në shërbime ndaj njerëzve dhe dorë e fortë e drejtimit të tij? Sa e ka përmbushur rolin e tij shteti demokratik nën ideologjinë dhe praktikën berishiste? Më tej. Ata pak njerëz që shpëtuan të gjallë nga burgjet enveriste sot, jetojnë në “burgun e lirisë” së berishizmit: pa punë, pa shtëpi e pa para!
Së treti: Ekonomia në kohën e Enverit erdhi drejt shkatërrimit dhe e çoi popullin drejt urisë së përgjithshme. Në këndvështrimin tim, ky është ndër aktet më kriminale të enverizmit. Puna, energjia dhe sakrificat e popullit shkuan dëm dhe Shqipëria ra në humnerën e madhe të varfërisë, nga e cila ende nuk kemi dalë. Po Berisha çfarë politike ekonomike ndoqi? Shkatërruese! Ekonomia në 23 vjet ka shkuar keq e mos më keq. Fillimisht u shkatërrua gjithçka ishte ndërtuar nën idenë e “çekut të bardhë” që do na vinte si shpëtim nga Amerika! U rrënuan fabrikat e uzinat dhe kur them u rrënuan, e kam në kuptimin e parë të fjalës. Më vonë u privatizua gjithçka, duke mos pasur asnjë plan zhvillimi të qëndrueshëm. Atë progres, që duket sot me sy të lirë në disa fusha të ekonomisë, e ka sjellë pa dyshim sistemi i ekonomisë së tregut, i cili te ne është zhvilluar spontanisht! Berisha me politikat e tij nuk ka bërë asgjë në interes të ekonomisë së shqiptarëve, përkundrazi i ka shitur interesat e tyre sipas interesit të tij personal. Mjafton të shikojmë koncesionet që ka dhënë për ta kuptuar më qartë konkluzionin.
Enveri zhduku çdo gjurmë të trashëgimisë së pronës. Në variantin e Robin Hudit, ua mori të pasurve dhe ua shpërndau të varfërve, për t’ua rimarrë pak kohë më vonë. Berisha synoi t’u kthejë pronat pronarëve, duke i lënë edhe sot pas 23 vjetësh, ish-pronarë! Sot pronat në Shqipëri janë ngërçi që mban peng ekonominë!
Enveri e shkatërroi skemën e pensioneve, por edhe Berisha nuk mbeti më pas: Sot shqiptarët kanë një pension qesharak, pavarësisht kontributit që kanë dhënë!
Së katërti: Enveri shkatërroi të ardhmen e rinisë, duke e detyruar të ndiqte shkollën sipas “përkatësive politike”. Por në fillim zhduku analfabetizmin dhe më tej e orientoi shkollën drejt ideologjisë së tij. Berisha e ka shkatërruar arsimin me politikat e tij populiste. Sot jemi të lirë në formë dhe skllevër në përmbajte. Mungesa e standardeve, hapja e dyerve të universiteteve për arsye politike, e ka shndërruar rininë në një të papunë afatgjatë! Enveri e shfrytëzoi në maksimum energjinë e rinisë, duke e shtrydhur atë në “vullnetarizma” të vazhdueshëm. Berisha i dha rinisë “mundësinë”: me mua që të punësohesh!
Së pesti: Në politikën e jashtme Enveri u shpalli “luftë” të gjithëve dhe e mbylli vendin me telin me gjemba. Askush nuk hynte dhe dilte në Shqipërinë e Enverit përveç ca “komunistëve e revolucionarëve” që vinin e pushonin me kohë të zgjatur këtu. Bota nuk e njihte Enverin, por njihte diktaturën dhe e merrnin me mend se çfarë mund të ishte. Berisha në daljet e tij ndërkombëtare, jo rrallë është shndërruar në “shakaxhiun e përparimit”, siç thoshte Noli. Nuk ka fyerje më të madhe për një popull kur lideri i tij shndërrohet në qesharak!
Natyrisht që krahasimi mes enverizmit dhe berishizmit është pjesë e një studimi shumë të gjatë e të thelluar. Unë jam e bindur që lexuesit shqiptarë, të ndarë si gjithnjë, do gjejnë “argumente”, për të mbrojtur njërin apo tjetrin. Të gjitha ato argumente shkojnë apriori, për të vërtetuar tezën se “Berishizmi nuk është më pak i rrezikshëm se enverizmi”. Ndërsa qëllimi i shkrimit është krejt tjetër: Shqipëria ka vuajtur shumë nga këto izma, ndaj duhen mbajtur sytë hapur për të mos u rikthyer. Rikthimin nuk e bën nderimi për dëshmorët e rënë për liri! Rikthimin e bëjnë ato që e kanë në gjak, qofshin të majtë apo të djathtë!
Top Channel