Superiore, Besa pranon rënien

09/05/2014 00:00

“Të them të drejtën, ne jemi tashmë skuadra që kemi rënë realisht nga kategoria”.

Trajneri i Besës, Artan Mërgjyshi, pranon para ndeshjes me Tiranën, se java e fundit nuk do të rezervojë asnjë suprizë për skuadrën e tij, e cila u bë “kurban” nga lojrat brenda dhe jashtë fushe, që ajo të bjerë një kategori më poshtë.

“Ne nuk mund të bëhemi si qaramanë për ta gjetur tek aleancat apo te kundërshtarët, që normalisht ishin më të fortë se sa ne, jo në fushën e lojës, por sa i përket mënyrës se si e menaxhuan këtë pjesë të fundit të sezonit. Me plot gojë mund të themi se ne jemi skuadra që jemi vjedhur në këtë kampionat, jemi skuadra më e persekutuar”, thekson më tej trajneri i Besës, Artan Mërgjyshi.

Vllaznia dhe Flamurtari janë dy skuadrat e tjera që luftojnë për mbijetesë, dhe ka shumë pak shanse që këto dy ekipe të bien në Kategorinë e Parë.

“Ne jemi duke u përgatitur për të hyrë në fushën e lojës për fitore. Nuk na intereson nëse do të ketë aleanca kundër Vllaznisë. Sigurisht frika është për aleanca, por neve na intereson vetëm fitorja. Ne si ekip nuk do të merremi me punët e të tjerëve, do të shohim vetëm situatën tonë dhe ndaj Teutës do të kërkojmë vetëm fitoren”, shprehet trajneri i shkodranëve, Dervish Haxhiosmanoviç.

“Ne do të shkojmë për të marrë maksimumin për ne, për të siguruar atë që duhej ta kishim siguruar faktikisht disa javë më përpara. Nuk mendoj se ka aleanca, tashmë besoj se pak a shumë gjërat janë të zgjidhura, por ne duhet të bëjmë punën tonë. Edhe nëse do të bëhet ndonjë aleancë në momentet e fundit, ne të jemi të qetë”, deklaroi trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka.

Vllaznisë dhe Flamurtarit u duhet edhe nga 1 pikë që të sigurojnë qëndrimin në superligë, ndërkohë që Besa përvec se duhet të fitojë me Tiranën duhet të shpresojë që njëra nga dy skuadrat e tjera të humbasë.

Top Channel