SHBA-BE dënojnë vizitën e Putin në Krime

09/05/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar vizitën e Presidentit rus Vladimir Putin në Krime, të premten, si diçka provokuese si dhe ritheksuan mosnjohjen nga amerikanët të aneksimit të gadishullit me dalje në Detin e Zi nga Moska.

“Ky udhëtim është provokativ dhe i panevojshëm. Krimea i takon Ukrainës dhe ne, sigurisht, nuk do t’i njohim hapat ilegale të ndërmarra nga Rusia në lidhje me këtë çështje”, theksoi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, në deklaratën e shkurtër ditore për reporterët.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë asnjë tërheqje të forcave ruse nga kufiri me Ukrainën, gjë që u njoftua nga Putin në fillim të kësaj jave, tha më tej zëdhënësja, duke nxitur Moskën të qetësojë tensionet në rajon.

“Duam që Rusia të ndërmarrë hapat për uljen e tensioneve. Besojmë se ata mund të influencojnë te veprimet e separatistëve në terren. Ata mund të bëjnë më shumë se kaq dhe, sigurisht, udhëtimi i Putin-it në Krime nuk është një veprim në drejtimin e duhur, siç kërkojmë ne”, tha Psaki.

Psaki pranon se Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, kanë pasur një telefonatë të dytë në po kaq ditë për të diskutuar mbi Ukrainën.

Ajo shtoi se nuk ka asnjë plan të miratuar për takime të reja mbi Ukrainën, mes Uashingtonit dhe Moskës. Kerry do të jetë në Londër javën e ardhshme, për bisedimet mbi Sirinë, një tjetër temë e nxehtë e diskutuar në telefonatën e së premtes, duke shtuar spekulimet se ai mund të takohet me Lavrov-in në Europë.

Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, në telefonatën e së premtes Lavrov bëri thirrje për dialog urgjent të ndërmjetësuar nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE), mes Kievit dhe rajoneve jug-lindore të Ukrainës.

Edhe Bashkimi Europian iu bashkua kritikave ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, i cili mori pjesë në një paradë ushtarake në Krime gjatë së premtes, duke thënë se ai nuk duhet të përdorë rastin e përkujtimit të fitores në Luftën e Dytë Botërore, për të demonstruar aneksimin e Rusisë në rajon.

“Bashkimi Europian vërejti me keqardhje prezencën e presidentit Vladimir Putin në një paradë ushtarake në Sevastopol, të Krimesë”, bëri të ditur Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

“Një ditë e rëndësishme në historinë tonë të përbashkët, e dedikuar nderimit të sakrificave të jashtëzakonshme dhe kujtimit të miliona të vdekurve në Luftën e Dytë Botërore, nuk duhej të ishte instrumentalizuar për t’i dhënë më shumë fokus aneksimit ilegal të Krimesë”, tha ajo.

Top Channel