Rusi, parada në Ditën e Fitores, e nxitur nga Krimea

09/05/2014 00:00

Rusia do të mbajë paradën e përvitshme ushtarake Dita e Fitores në Sheshin e Kuq të Moskës mes rritjes së patriotizmit pas aneksimit të Krimesë.

Një ngjarje e ngjashme me fitoren sovjetike në Luftën e Dytë Botërore do të mbahet në portin e Sevastopolit në Krime.

Mediat ruse kanë raportuar se në këtë paradë do të jetë i pranishëm edhe Presidenti Vladimir Putin, por zëdhënësi i tij nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Festimet mund të provokojnë shtim të dhunës në Ukrainë, por Moska ka mohuar nxitjen e trazirave.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do të ishte për të ardhur keq nëse Putin do të përdori këtë ditë të shënuar për shtetin e Rusisë për të vizituar Krimenë.

BBC raporton se pas aneksimit të Krimesë Rusia ka përjetuar një rritje të ndjeshme të patriotizmit, i cili është nxitur edhe nga raportimet në televizionin e kontrolluar nga shteti.

Autoritetet e përkohshme ukrainase nuk do të lejojnë grumbullimin publike me frikën se aktivistët pro-rusë mund të nxisin dhunën.

“Janë duke u kryer kontrolle të imtësishme përreth kryeqytetit, pasi mund të përballemi me veprime provokuese më 9 Maj”, tha presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Olexander Turchynov.

Gjermania naziste pushtoi një pjesë të Bashkimin Sovjetik, ku përfshihej edhe Ukraina, në Qershor të vitit 1941, duke avancuar në drejtim të Moskës.

Sipas Rusisë mbi 26 milionë shtetas sovjetikë u vranë në luftë, ku 8.7 milionë ishin pjesëtarë të forcave të armatosura.

Top Channel