ALEKSANDËR ÇIPA – Interesimi i politikës shqiptare për vendimin e
pritshëm nga Brukseli në qershor, (i cili lidhet me marrjen ose jo të
statusit të vendit kandidat për anëtar i BE-së), po eklipsohet çdo ditë
prej debatit të brendshëm. Një eklipsim që nuk po vihet re as prej
shumicës së majtë dhe natyrisht që po i vlen si përfitim i vogël edhe
opozitës së djathtë.
Pavëmendshmëria ndaj tij, pra eklipsimit, për shumicën në qeverisje po interpretohet si kujdes për të mos mbivlerësuar gjuhën e akuzave opozitare. Akuza që lëshohen ndaj qeverisë e cila po mbush vitin e parë të mandatit.
Ndërkohë që në analizën e aktorëve monitorues të sjelljes dhe efekteve politike në këtë “arenë”, po ngulitet mendimi se opozita po ia del falë edhe disa arsyeve dhe faktorëve realë, të krijojë perceptimin dhe goditjen e imazhit të shumicës qeverisëse.
Një aktrim politik intensiv i opozitës që verbalisht kryesohet prej deputetit Sali Berisha dhe zyrtarisht prej kryebashkiakut të Tiranës, zotit Lulëzim Basha, po i jep marrëdhënies dhe komunikimit bilateral tonin në ngritje, të parakonfliktit politik. Seancat e deritanishme të Kuvendit karakterizohen nga një gjuhë akuzimi dhe rishtas-akuzimi, e cila të lë shijen e keqe të së pandryshueshmes. Ky komunikim dhe sidomos ligjërimi dominues i zotit Berisha, gjithkujt i lë shijen e pasjes së një “Kuvendi të pandryshuar” dhe të një qeverisjeje së cilës po i stivosen akuzat. Nga kjo tablo dyluftimi të pandryshueshëm verbal, “e vjetra” rikonfirmohet dhe “e reja” lihet si shpresë që dikush do ta sjellë. Kjo formulë tipike e tranzicionit postkomunist shqiptar, rrezikon t’i lërë klasës politike mundësinë e ripërdorimit dhe riciklimit të konfliktit dhe rigjenerimin e marrëdhënieve me kontradikta antagoniste, të cilat penalizojnë vendin dhe qytetarët.
Akuzat për trafikun e drogës me mjete të aviacionit nga struktura të Forcave të Armatosura, tashmë janë një çështje zyrtare. Ndonëse u shpërfillën dhe i ndanë në mohuese dhe pohuese dy palët,(njëra që e vlerëson si fantazi apo halucinacion opozitar dhe tjetra si trafik qeveritar apo “kolumbianizim të qeverisë në trafik”), tashmë janë pjesë e një sipërmarrjeje hetimore në nivel parlamentar. Pas këtij subjekti, një tjetër i tillë shpaloset dje nga ish-kryeministri Berisha për thyerjen e embargos ndërkombëtare me Iranin, për importimin e karburanteve në vendin tonë. Një akuzë e cila të lë shijen e menjëhershme të pabesimit, sikundër edhe ajo e trafikut të drogës me avionë nga Kardhiqi apo Divjaka. Mirëpo, Kryeministri Rama, akuzës alarmante të paraardhësit të vet, iu përgjigj me pohimin se ka ekzistuar në data dhe pika kufitare që përkojnë me qeverisjen e “doktorit” raste të thyerjes së embargos. Irealja në komunikimin polemik mes pozitës dhe opozitës dëshmohet me fragmente reale!!!
Ky absurd po recidivohet në përballjen dhe ligjërimin politik mes zotit Kryeministër dhe paraardhësit të tij. Në këtë mënyrë, ai e tejkalon rolin dhe protagonizmin antagonist të dy individualiteteve politikëbërëse, por nuk tejkalon mundësinë e mosdëmtimit të imazhit të vendit dhe qeverisë në planin partnerial dhe atë ndërkombëtar. Akuza rishtare e thyerjes së embargos me Iranin nga Shqipëria, nuk ka për të qenë thjesht një subjekt me vlerë opozitarizmi dhe “për konsum të brendshëm”. Një akuzë e tillë ka për të shkaktuar në mos reagime, së pari, shtim të vëmendshmërisë dhe tërheqje të vëmendjes së vendeve aleate dhe pse jo edhe Aleancës, pra NATO-s. Injorimi apo përgjigjet me kundërakuza nga Kryeministri Rama, mund të jenë të pamjaftueshme për të bindur “të tretët” në këtë mesele të saposhpallur nga ish-kryeministri Berisha. Ajo që spikat në zhdërvjelltësinë akuzuese të ish-kryeministrit të krijon besimin e posedimit të informacionit të klasifikuar apo të siguruar nga një infrastrukturë informimi e cila në mos sfidon qeverinë e provokon atë dhe relacionet që ajo ka me shërbimet inteligjente zyrtare. Në këtë kuadër, reagimi me kundërakuzë i Kryeministrit Rama ndaj akuzës së ish-kryeministrit Berisha, nuk e shpërfill apo nënvleftëson akuzën, por e pranon atë si të një kohe të shkuar. Ky pozicionim i dy protagonistëve të qeverisjes aktuale dhe asaj të shkuar, ka bërë të pamohueshëm faktin: ekzistencën e thyerjes së embargos. Pra, zyrtarisht politikanët tanë e pranuan se kanë thyer embargon me Iranin. Ky është një konfirmim alarmant dhe me pasoja.
Ndikimi mbi vendin, prej këtij pohimi pranues, do të shfaqet (në mos është dëshmuar) në rrjedhën e padukshme të komunikimit dhe marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në dhe BE-në. Ky konfirmim nuk mund të mos shqyrtohet politikisht prej institucioneve shtetërore dhe drejtësisë ligjore. Në këtë vetakuzim dhe vetëkonfirmim, politika e vendit ka siguruar një vetëndëshkim të ri ndërkombëtar, le ta presim atë(!)
Por a mund të kenë pasoja dhe efekte negative ndikuese në procesin e pritshëm të qershorit, për Shqipërinë kësi akuzash dhe kësi vetëkonfirmimesh?!
Në pamje të parë duket se janë faktorë tangencialë dhe pjesë e konsumit politik të brendshëm. Mirëpo, përvoja politike dhe ajo e pritshmërisë shqiptare, për statusin e vendit kandidat për anëtar në BE, na ka riprovuar se ne jemi “djegë nga pikat shtesë” dhe nga arsyet e brendshme. Ditët e fundit, marrëdhënia politike pozitë-opozitë po i shton intensivisht, madje me shpejtësi të ngutshme, arsyet dhe pretekstet e brendshme. “Heshtje s’ka!”,- do të thoshte Xhevahir Spahiu. Po pse kjo uri apo etje për zhurmë, akuza dhe konflikt? Kush mund të kërkojë llogari për këtë diabolizëm që cenon dhe pengon arritjen e qëllimit më të pritshëm kombëtar, në një datë që është shtyrë kaq përsëritshëm?! A mund të heshtin dhe të bëjnë sehir aktorët dhe faktorët e tjerë të kësaj shoqërie? Kujt i vlen dhe pse po e ripërdorin këtë alibi dështimi? Kësi pyetjesh retorike kanë lidhje me historinë e ndenjur të klasës sonë politike. Është çasti që sjelljes së vjetër t’i hiqet mundësia e vjetër: alibia dhe përdorimi i vetvetes kundër vetvetes.
Top Channel