Putin pritet si hero në Krime

09/05/2014 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin mbërriti në Krime, vizita e parë e tij në Gadishull që prej kohës së aneksimit nga Rusia, në muajin mars.

Putin iu adresua me një fjalim marinarëve rus në Gjirin e Sevastopolit në përvjetorin e fitores së Ushtrisë së Kuqe kundër nazistëve në vitin 1945. Ai falenderoi forcat e armatosura për rolin e tyre në Luftën e Dytë Botërore dhe mbrojti aneksimin e Gadishullit të Krimesë në Federatën Ruse.

“Jam i sigurtë që 2014 do të përkujtohet në gjithë vendin tonë, si viti kur pjesa e kombit këtu vendosi për t’iu bashkuar Rusisë duke u treguar besnikë ndaj të vërtetës historike dhe kujtimit të paraardhësve tanë”, tha Putin.

Ukraina protestoi ashpër duke e cilësuar vizitën një shkelje të rëndë të sovranitetit të saj, ndërkohë që disa persona raportohen të vdekur gjatë një shkëmbimi zjarri mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në qytetin e Mariupolit.

Më herët, presidenti rus mori pjesë në paradën ushtarake që zgjati më shumë se një orë në Sheshin e Kuq në Moskë. Në fjalën e tij Putin theksoi vendosmërinë për mbrojtjen e “atdheut”, ndërsa iu shmang krizës së Ukrainës.

“Është një ditë feste, kur triumfon forca e paepur e patriotizmit, kur të gjithë e ndjejmë shumë cfarë do të thotë t’i mbetesh besnik Mëmëdheut dhe sa e rëndësishme është të mbrojmë interesat e tij”, tha Putin.

Televizioni shtetëror rus raportoi se parada ishte më e madhja e zhvilluar ndonjëherë në Sheshin e Kuq në 20 vitet e fundit.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase njoftuan aktivitetet të vakta përkujtimore të fitores ndaj nazizmit, pasi druhen se aktivitetet e mëdha mund të ngjallin reagimin e aktivistëve pro-rusë dhe të përshkallëzojnë tensionet në vend.

Top Channel